Fjalë Kyçe

Fshatrat e Kamenicës do të bojkotojnë fushatën zgjedhore

Fshatrat e Kamenicës do të bojkotojnë fushatën zgjedhore

Që nga fillimi i shtatorit, shkollat në fshatin Busavatë, Krilevë, Strezoc dhe Tuxhec të Kamenicës do të duhej të ishin të mbyllura, sipas vendimit të Komunës.

Ndonëse mësimi vazhdon, banorët e këtyre fshatrave kanë reaguar duke thënë se do të bojkotojnë promovimin e partive politike në fshatrat e tyre, raporton KTV.

“Busavata, Krileva, Strezoci dhe Tuxheci, në tubimet e tyre, kanë vendosur të mos i njohin dhe respektojnë kompetencat e një kryetari të tillë dhe, në mënyrë unanime, kanë vendosur bojkotimin e promovimeve politike në këto fshatra me të vetmen arsye të përkrahjes së tyre ndaj vendimeve të Kastratit”, thuhet në reagimin e Këshillit të fshatit Busavatë .

Edhe banorët e tjerë thonë se e përkrahin një vendim të tillë. Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se vendimi që ka marrë për riorganizimin në arsim nuk ka prapavijë politike.

Thotë se kështu ka vepruar për të mirën e fëmijëve. E, në anën tjetër, vendimin e banorëve e ka parë si të ngutshëm Lëvizja Vetëvendosje.

Vendimi i këshillit të fshatit Busavatë i është dërguar Komisionit Qendror Zgjedhor, Komunës së Kamenicës dhe degëve të partive politike në Kamenicë.