Fjalë Kyçe

FSK-ja e gatshme t’i lirojë objektet po u përkeqësua situata pandemike

FSK-ja e gatshme t’i lirojë objektet po u përkeqësua situata pandemike

Departamenti i Mjekësisë në ministrinë e Mbrojtjes janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre në rast të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe rëndimit të gjendjes me pandeminë, shkruan Ekonomia Online.

“Unë e përfaqësoj ministrinë e Mbrojtjes në disa komisione që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë Covid-19 në nivel vendi, edhe ministri e ka paraqitur si kapacitet qendrën tonë mjekësore në rast të eskalimit të rritjes enorme të rasteve me infeksion. Edhe na jemi pjesë e Kosovës dhe në rast se kërkohet një gjë e tillë ne jemi të obliguar që të hapim kapacitetet tona në drejtim të ofrimit të shërbimeve mjekësore, për shkak të pandemisë”, ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i këtij departamenti, koloneli Xhevdet Tahiraj..

“Unë thashë edhe në fillim që institucionet të cilat janë marrë me menaxhimin e pandemisë, ne si FSK i kemi ndihmuar në shumë drejtime si në aspektin logjistik kudo që ata kanë pasur nevojë e si në dërgimin e kontenjerëve nëpër pika kufitare, pastaj dërgimin e tendave para shumicës së spitaleve si QKUK dhe të tjera, si dhe dërgim të personelit tonë në qendra spitalore që t’i mbështesim ata. Pra ne jemi në dispozicion të tyre”.

Tahiraj ka shtuar se ata janë duke i ngritur kapacitetet mjekësore dhe se atyre tashmë edhe u janë kthyer kuadrot që qenë shkuar për shkollim në Turqi.

“Jemi duke i ngritur apo rritur kapacitetet tona mjekësore, si në trajnim ashtu edhe në shkollime gjithmonë në fushën e mjekësisë, pasi këtu tek ne janë dy lloje të mjekësisë e sidomos ajo ushtarake-fushore dhe ne në këtë aspekt bëjmë trajnime nga më të ndryshmet duke u mësuar që t’i mësojmë edhe në fushën e shkathtësive ushtarake”.

“Nuk jemi keq me kapacitetet, aktualisht neve na u kanë kthyer edhe katër kadetë të cilët ne i kemi shkolluar në universitetin mjekësor ushtarak në Turqi, tani kanë përfunduar fakultetin dhe kanë filluar punë te ne”.