Në organizim të Qendrës Koordinuese për Deminim të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, më 4 prill 2019, u shënua Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Minave.
Në shënimin e kësaj dite morën pjesë: zëvendësministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, kolonel Shaip Haziri komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, Ahmet Sallova, shef i Qendrës Koordinuese për Deminim në Ministrinë e Mbrojtjes, stafi i lartë i Ministrisë dhe FSK-së, përfaqësues të ambasadave të; SHBA-së, Norvegjisë, Zvicrës, Austrisë, Holandës dhe të organizatave; HALO Trust, NPA, MAT Kosova dhe KFOR-it.
Zëvendësministri Agim Çeku, në emër të ministrit Berisha dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, përshëndeti pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje dhe falënderoi të gjithë ata që mbështetën dhe kontribuuan në pastrimin e Kosovës nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera. Zëvendësministri Çeku gjithashtu foli për rëndësinë e çminimit të mjeteve të pashpërthyera, si dhe për planin e pastrimit të Kosovës nga minat deri në vitin 2024. Zoti Çeku, më tej, tha se, ky projekt është shumë konkret dhe shumë i rëndësishëm dhe se në bashkëpunim me Qendrën e Deminimit në Gjenevë, është hartuar plani strategjik, i cili parasheh që deri në vitin 2024 do t’i pastrojmë të gjitha zonat e njohura të minuara dhe të afektuara nga bombat kasetore në Kosovë, transmeton kp .
Shefi i Qendrës Koordinuese për Deminim i Ministrisë së Mbrojtjes, Ahmet Sallova, e paraqiti Planin strategjik për eliminimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese 2019-2024.
Asa Massleberg nga Qendra Kombëtare për Deminim në Gjenevë, tha se procesi i planifikimit strategjik 2019-2024, mundëson lehtësimin e operacioneve që Kosova t’i përmbush objektivat e parapara në pastrimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese.