Ish-ushtari i UÇK-së, Flamur Hoti, është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur në Hagë.
Lajmin për Rtv Besa, e ka konfirmuar vetë Hoti.
Ai ka thënë se me 27 maj 2019, bashkë me avokatin mbrojtës Bashkim Nevzatin, do të nisen për në Hagë ndërkaq më 28 maj do të dalë para gjykatës.
“Kjo është edhe një sfidë për ne ushtarët e lirisë, tani e 20 vjet punoj në Brigadën e Zjarrfikësve dhe nuk e di pse si tani pas dy dekadash kjo Gjykatë me padrejtësitë e veta dëshiron të na sfidojë” ka thënë ai.
Për ftesën e Speciales ndaj Hotit ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj.
Përmes një njoftimi në Facebook, ai ka thënë se Gjykata Speciale është pjellë që do ta kundërmon historinë, si dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai këtë Gjykatë e quan projekt të Serbisë derisa e ka akuzuar PDK-në se e ndihmoi atë.
“Projektin serb atëbotë e ndihmoi edhe PDK-ja. Tash në vend të atyre që e krijuan, Thaqave dhe Kadrive po e pësojnë djemtë më të mirë që dhanë çka patën për vendin e tyre. Flamur Hoti jemi me ty”, ka shkruar ai.