Fjalë Kyçe

Fushata e Shpend Ahmetit kundër taksistëve ilegalë

Fushata e Shpend Ahmetit kundër taksistëve ilegalë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vendosur tek në mandatin e dytë të vendos rregull në transportin e kryeqytetit.

Kështu, Inspektorati i Prishtinës ka ndërmarrë aksionin e dytë brenda javës për konfiskimin dhe gjobitjen e taksive ilegalë.

Adonis Tahiri, shef i Inspektoratit, ka paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë.

“Edhe gjatë fundjavës, ekipet kujdestare të Inspekcionit kanë vazhduar aksionin për ndalimin e transportimit ilegal të udhëtarëve. Do të angazhohemi maksimalisht për pastrimin e linjave dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për transportin publik. Gjoba dhe konfiskime, deri në arritjen e qëllimit: Pa taksi ilegalë!”, ka shkruar Tahiri, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Të premten e kaluar, Tahiri kishte njoftuar, po ashtu, se gjashtë ekipe të Inspektoratit janë angazhuar sot në ndalimin dhe gjobitjen e taksistëve ilegalë.

“Aksioni ishte i përqendruar në pikat statike në lagjen Dardania, ku zakonisht stacionohen kombit dhe veturat që kryejnë shërbimin e transportit ilegalisht. U shqiptuan gjoba nga 100 euro, për secilin, si dhe u bë konfiskimi i targave. Aksionet e tilla do të jenë të vazhdueshme (brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës), me kapacitet të shtuar edhe të Inspektorëve edhe të Policëve, si në pikat statike brenda lagjeve ashtu edhe nëpër stacione të autobusëve, deri në eliminimin e kësaj dukurie që po e rëndon dukshëm trafikun në Prishtinë”, ka shtuar ai.