Fjalë Kyçe

Fushë-Kosovë: Kanabisi ‘mbin pa u mbjellë’

Fushë-Kosovë: Kanabisi ‘mbin pa u mbjellë’

Policia e Kosovës ka asgjësuar 100 bimë të egra narkotike kanabis në Miradi të Ulët.

Në tokën e fshatit Miradi e Ulët, ka shumë bimë.

Disa prej tyre kultivohen nga vetë banorët, si në rastin e kësaj familjeje të cilët veç të tjerash mbjellin lakra.

Por diku mes tyre, po mbin edhe një bimë jo fort e zakonshme.

Sipas banorëve të Miradisë së Ulët, kanabisi është duke mbirë, ndonëse nuk e mbjellin vet.

Bimë të ngjashme shihen lehtësisht edhe krejt pranë rrugës ku përditë kalojnë njerëzit.

E veç këtu, edhe pranë oborrit të shtëpive të tyre.

 

Ndonëse hezitojnë të flasin para kamerës për këtë çështje, banorët thonë se për këtë çështje përfunduan edhe në Policinë e Kosovës.

Këtu pas lufte, thonë se kishin ardhur edhe ekipe të KFOR-it, të cilët sipas banorëve asgjësuan kanabisin.

Megjithatë, shprehen se ndonëse më rrallë se dikur, kjo bimë akoma mbin vet, krahas që përdorin herbicide.

E në këtë fshat, një ditë më parë Policia e Kosovës ka asgjësuar 100 bimë të egra narkotike kanabis.

Sipas profesorit në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovcit, fara e kanabisit është e vështirë për t’u asgjësuar.

Ai thotë që një gjë e tillë mund të ndodhë, vetëm nëse më herët në atë vend, është mbjellur kanabisi.

Sipas Rusinovcit, këto zona duhet të kontrollohen nga shteti, pasi që lehtësisht mund të keqpërodret kjo bimë.

Përdorimi i bimës kanabis është i jashtëligjshëm në Kosovë, përveç në rastet mjekësore.