Fjalë Kyçe

GAP-i rekomandon rritjen e pagës minimale për “të amortizuar” rritjen e çmimeve

GAP-i rekomandon rritjen e pagës minimale për “të amortizuar” rritjen e çmimeve

Instituti GAP përmes një raporti ka bërë të ditur se në vitin 2021, është shënuar rritje e indeksit të çmimeve të konsumit prej 3.1 për qind, çmimi i prodhimit 4.2 për qind, i importit 8.3 për qind dhe kostoja e ndërtimit 10.9 për qind.

GAP-i bën të ditur se rritja ekonomike që u shënua vitin e kaluar ishte si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së brendshme, pakove fiskale për rimëkëmbje ekonomike si dhe mbështetjes nga diaspora.

“Një nga stimuluesit kryesor të konsumit, remitencat, deri në tetor të vitit 2021, shënuan po ashtu rritje vjetore prej 20 për qind, duke arritur vlerën 956 milionë euro për periudhën janar – tetor 2021. Një tjetër stimulues i rritjes së ekonomisë ishte eksporti i mallrave, i cili deri në tetor 2021 arriti vlerën prej 613.9 milionë euro, dukshëm më i lartë se eksporti në vitin 2019 dhe 2020 që ishte 383.5 milionë euro dhe 474.9 milionë euro respektivisht”, thuhet tutje.

Sipas raportit, paga mesatare neto ka pasur ndryshime përgjatë viteve, derisa ajo minimalja ka qëndruar në nivel të njëjtë.

“Andaj, disa nga rekomandimet e mundshme për zbutjen e efekti të rritjes së çmimeve janë: rritja e pagës minimale, rritja e pagesave për përfituesit e skemave sociale dhe intensifikimi i monitorimit të tregjeve për ‘marrëveshjet e fshehura’ nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës”, thuhet raport.

Raporti vë në pah se me rritjen e çmimeve ka pasur ankesa nga qytetarët duke shfaqur dyshime për ekzistimin e ‘marrëveshjeve të fshehura’, të fiksimit të çmimeve të bukës dhe të floktarëve.