Fjalë Kyçe

Gara për Prishtinën, këta janë kandidatët e mundshëm për kryetar

Gara për Prishtinën, këta janë kandidatët e mundshëm për kryetar

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, subjektet politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Disa nga partitë tashmë kanë nisur diskutimet me degët e tyre nëpër komuna ku më pas do të bëjnë të ditur edhe kandidatët për kryetar që do t’i nominojnë.

Gara më interesante pritet që të jetë si gjithmonë në kryeqytet. Se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Prishtinës mbetet të shihet pas zgjedhjeve.

Deri tash në media janë përfolur emri i Arben Vitisë nga LVV-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja dhe nga LDK-ja ishte përfolur Lumir Abdixhiku si kandidat për kryetar të Prishtinës. Kandidimin e mundshëm të Arben Vitisë nga LVV-ja për kryetar të Prishtinës, e ka përmendur kohë më parë edhe nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca.

Konjufca kishte deklaruar se Vitia do të ishte figurë më kredibile për të konkurruar në postin e kryetarit të Prishtinës, shkruan Telegrafi.

“Ende nuk është vendosur por Arben Vitia do të ishte figura më kredibile që do ta fitonte atë betejë”, kishte deklaruar Konjufca.

Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili kishte deklaruar gjithashtu se ka paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës. Kandidimin e Ismailit për këtë post, e ka mbështetur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se Ismaili i ka bërë nderë partisë me vendosmërinë e tij për të garuar për të parin e Prishtinës.

“Mendojmë që ai do të jetë kandidati jonë për këtë post. Ai e ka mbështetjen tonë. Për një kohë të shkurtë do të dalim edhe me listën për kandidatët e tjerë”, kishte deklaruar Hoxhaj kohë më parë.

E në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut si kryetar i këtij subjekti, nuk dihet ende se kush do të jetë kandidat i mundshëm për kryetar të kryeqytetit, shkruan Telegrafi. Abdixhiku ka deklaruar se nuk do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, pasi që tash detyra e tij është punojë për partinë.

Deri tash nuk është diskutuar ndonjë opsion tjetër nga ana e LDK-së, ani pse në media janë përfolur dy emra nga ky subjekt, ish-kandidati i LDK-së për Prishtinë, Arban Abrashi i cili aktualisht është ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafës, por ende nuk ka asgjë zyrtare.

Partitë tjera nuk është që kanë dhënë sinjale për ndonjë kandidat potencial për garën e të parit të kryeqytetit. Për një kandidatë të mundshëm nuk ka dhënë sinjale as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, Arben Vitia nga LVV-ja ka marrë 107 mijë e 858 vota në total, kurse vetëm në Prishtinë ka marrë 30 mijë e 793 vota.

Uran Ismaili i PDK-së ka marrë 26 mijë e 716 vota, ndërkaq në Prishtinë ka arritur të marrë 5 mijë e 466 vota.

Ndërkaq Lumir Abdixhiku i LDK-së, në nivel vendi ka marrë 25 mijë e 267 vota, ndërkaq në Prishtinë ka vetëm 7 mijë e 232 vota.

Besian Msutafa në nivel vendi ka marrë 9 mijë e 745 vota, kurse në kryeqytet ai ka marrë vetëm 2 mijë e 653 vota. Arban Abrashi në total ka marrë 6 mijë e 181 vota, kurse në Prishtinë 2 mijë e 552 vota. Vlen të theksohet se Abrashi nuk ka arritur të bëhet deputet në këtë legjislaturë.