Fjalë Kyçe

Gazetari Bytyçi u kontaktua me viber nga Gjyktata Speciale, por ende nuk ka ftesë

Gazetari Bytyçi u kontaktua me viber nga Gjyktata Speciale, por ende nuk ka ftesë

Pas raportimeve se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit, gazetari Nuhi Bytyçi ka thënë se nuk ka pranuar kurrfarë ftese me shkrim.

Ai nëpërmjet një telefonate nga Klan Kosova, ka bërë të ditur se para disa ditësh ka marrë një thirrje në Viber nga Zyra e Prokurorisë Speciale, por nuk i është treguar se për çfarë arsye po e kontaktojnë.

“Si mund të raportojnë mediet kur unë ende nuk kam pranuar kurrfarë ftese me shkrim nga Gjykata Speciale. Prandaj unë e demantoj këtë lajm”.

“Kam vetën një sqarim të vogël. Para disa ditësh kam pranuar një telefonatë nga Zyra e Prokurorisë Speciale nëpërmjet Viber-it dhe nuk më kanë treguar se për çfarë arsye po më kontaktojnë. Numri që më ka telefonuar ka qenë një numër i fshehtë”.

“Unë kam kërkuar prej tyre që për këto gjëra të më njoftojnë me shkrim sepse kjo është një gjykatë shumë seriozë dhe komunikimet përmes telefonit nuk mund të jenë të besueshme apo serioze. Pastaj ata më kanë thënë se do të më njoftojnë; mirëpo deri më tani nuk kam pranuar asnjë ftesë me shkrim”.

Gazetari Bytyçi ka thënë se është krenar për punën që e ka kryer me sukses para dy dekadave dhe se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë, transmeton Klan Kosova.

“Unë kam raportuar nga zonat e luftës në Kosovë për të gjitha zhvillimet dhe jam krenar që kam qenë ndër gazetarët e tillë, bashkë me kameramanin Abaz Zeka, kolegun Migjen Kelmendin dhe kolegët e tjerë të redaksisë së Kosovës në Televizionin Shqiptar”.

“Konsideroj se e kemi kryer me sukses misionin profesional dhe mund të them me plotë bindje se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe shumë e pastër, ngase është luftuar kundër një regjimi militarist të udhëhequr nga Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi”.

“Falë gjakut të dëshmorëve dhe mbështetjes nga bota demokratike – intervenimit ushtarak të NATO-s, Kosova u çlirua në qershor të vitit 1999”.

“Unë si gazetar e kam kryer misionin tim me sukses dhe jam shumë krenar që përherë kam qenë në shërbim të publikut i cili edhe këto ditë po e vlerëson pozitivisht përkushtimin tim profesional”.

“Kjo gjë është dëshmuar me rastin e botimit dhe promovimit të librit me titullin “Libri i Luftës” në Zvicër, Austri dhe Slloveni. Unë sot kam marr një mirënjohje nga ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni për punën dhe kontributin tim si gazetar gjatë dy dekadave të kaluara”.