Gazetari kosovar, Parim Olluri ka shkruar në profilin e tij në Facebook se ka marrë ftesë nga policia për tu paraqitur në stacion në të kundërtën do të arrestohet.
Olluri ka shkruar se është duke e pritur orën 14:00 kur edhe i është caktuar koha për paraqitje në polici.
“Jam duke pritur oren 14:00. Per t’u bindur se a po shnderrohet Policia ne marionete te grupeve te interesit, te cilet jane protagoniste te shkrimeve te mediave”, ka shkruar Olluri.
Kjo ftesë nga policia gazetarit i ka ardhur për arsye të ankesës së Gani Gecit rreth një shkrimi në gazetën online ‘Insajderi’.
“Gani Geci eshte ankuar ne Polici per nje artikull te Insajderit.Policet, ne vend se ta udhezojne qe te beje padi ne gjykate per pretendimet e tij, meqe shpifja eshte veper civile, keta hapin rast penal kunder meje. Me dergojne ftese qe te paraqitem me urgjence ne stacion policor, duke u thirrur ne nenin me te cilin ftohen personat qe perbejne rrezik per perseritjen e vepres penale.
Sipas tyre, nese nuk paraqitem ne stacion policor atehere do te arrestohem”, ka shkruar në Facebook gazetari.
Ai ka thënë se nuk do të paraqitet në polici.
“Une refuzoj qe te shkoj ne stacion policor ne ora 14:00, pa u njoftuar zyrtarisht se cfare vepre penale paskam bere me publikimin e shkrimit per Gani Gecin. Po i pres ne Insajder ne ora 14:00.Ky eshte precedent i rrezikshem per gazetaret. Nese Policia nuk terhiqet nga ky skandal, atehere secili prej lidereve te partive qe jane perdite protagoniste te shkrimeve tona mund te na denoncojne ne Polici dhe te na arrestojne brenda dites”, është shprehur Olluri.