Fjalë Kyçe

Gërvalla arsyetohet për gabimet në Twitter me kriteret e rrjetit social

Gërvalla arsyetohet për gabimet në Twitter me kriteret e rrjetit social

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka arsyetuar me limitimin prej 270 karakteresh, një postim me plot gabime nga ana e kësaj ministrie në Twitter të hënën.

Qëndrimi i MPJ-së për Bjellorusinë të hënën u vlerësua joserioz e me anglishte të dobët. Pas shumë kritikave në publik, MPJ-ja hoqi atë postim duke e zëvendësuar me dy të tjerë.

E në Komisionin Parlamentar para deputetëve, Gërvalla ka thënë se e merr përgjegjësinë politike për rastin.

“Përpjekja për të futur në 270 shkronja një mesazh të komplikuar duke lënë anash të gjitha lidhëzat ka shkaktuar një tekst që është…. ju jap të drejtë. Ashtu është. E kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar. I kemi futua lidhëzat. Është i njëjti mesazh. Mendoj që kemi një tekst të kuptueshëm”, ka thënë ajo.

E për përmbajtjen në të cilën akuzonte presidentin rusi Vladimir Putin se po bëhet më agresiv, Gërvalla ka thënë se “Kosova është e fortë, synon dhe është krah aleatëve të saj”.

“Mesazhi dëshiron të tregojë se Kosova qëndron fort në krahun e aleatëve të saj. E kemi kuptuar e do të shohim të mos na ndodhë asnjëherë”, ka shtuar ajo.