Fjalë Kyçe

Gërvalla propozon ndryshimin e pagave të ambasadorëve

Gërvalla propozon ndryshimin e pagave të ambasadorëve

Ministrja e Punëve të Jashtme tha se ka propozuar ndryshimin e pagave për diplomatët që emërohen ambasadorë të Kosovës në shtete të ndryshme. Ajo tha se Kosova u jep paga të njëjta të gjithë ambasadorëve dhe kjo sipas saj duhet të ndryshojë.

Gërvalla në raportimin e saj në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme e ka quajtur absurditet këtë fakt, duke thënë se ambasadorët në Washington apo Tokio, e kanë të pamundur ta përballojnë koston e jetesës me pagën që e marrin.

“Një prej absurditeteve më të mëdha të cilat i kam hasur në Ministrinë e Punëve të Jashtme është çështja e pagave të diplomatëve. Pra, një diplomat i Kosovës merr të njëjtën pagë si në Tiranë dhe Podgoricë, si në Tokio dhe Washington, gjë që tregon se është totalisht e pamundur që diplomatët që i dërgojmë shumë larg vendit, ta përballojnë koston e tyre të jetesës. Diplomati a të merret me diplomaci, apo të merret me lista të çmimeve të supermarketeve se ku të shkojë sot ta blejë mishin e nesër pataten”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja tha se në MPJ është krijuar një komision i cili do të merret me këtë çështje dhe se e kanë hartuar një propozim për ndryshimin e pagave. Me strukturën e re të pagave, Gërvalla tha se dikujt do t’i ulet paga.

“Ne kemi krijuar në Ministri një komision së bashku me departamentin ligjor por edhe me të tjerët, sepse departamenti ligjor nuk është i mjaftueshëm në këtë rast. Kemi hartuar një propozim të cilin do t’ia paraqesim Qeverisë lidhur me një strukturë tjetër të pagave, sepse nuk kemi nevojë t’i shpikim gjërat nga fillimi sepse nuk jemi ne të parët që dërgojmë diplomatë jashtë vendit. Janë shumë qartë të përcaktuara, qoftë përmes OKB-së, qoftë përmes mekanizmave të tjerë, standardi jetësor i vendeve të ndryshme dhe ne do të duhej t’i përshtateshim standardit që ekziston në ato vende. Unë nuk mendoj që kostoja financiare në fund do të jetë domethënëse për buxhetin e vendit tonë, për shkak se dikujt i ulet paga që është në rajon, e dikujt i shtohet paga që është atje”, tha Gërvalla.