Fjalë Kyçe

Gërvalla: Tërheqjet e ambasadorëve, një hap drejt reformimit të shërbimit diplomatik

Gërvalla: Tërheqjet e ambasadorëve, një hap drejt reformimit të shërbimit diplomatik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë të enjten se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka nxjerrë dje dekretet në përputhje me këtë propozim. Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në Facebook.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.

Ajo ka thënë se çdo ministri është e detyruar t’i respektojë ligjet e vendit. Sipas saj, ky vendim është marrë me qellim të respektimit edhe të dispozitave të ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme i cili përcakton se së paku 50 për qind të emërimeve të ambasadorëve dhe shefave të misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të shërbimit të jashtëm dhe të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të shërbimit të jashtëm të Kosovës, shërbejnë vetëm për një mandat.

“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve dhe shefave të misioneve të rijnë dhe do të vazhdojë reforma në rrjetin tonë të ambasadave dhe konsullatave të përgjithshme duke respektuar kriteret e matshme të standardeve ndërkombëtare”, ka thënë tutje ajo.