Fjalë Kyçe

Gillas: Vuçiqi po vjedh prej qytetarëve

Gillas: Vuçiqi po vjedh prej qytetarëve

Njëri prej liderëve të Lidhjes për Serbinë Dragan Gjillas ka vlerësuar se Serbia me respektimin e sugjerimeve të Fondit Ndërkombëtar Monetar (FNM) u shndërrua në vend në të cilin sundon varfëria dhe ka porositur se kurrë nuk do ta përkrahë vendimin e qeverisë që problemin e deficitit ta zgjidhë me zvogëlimin e pensioneve dhe të rrogave.

Ai ka shkruar për gazetën serbe Danas se i intereson se si masat e qeverisë ndikojnë në jetën e qytetarëve, e jo në deficit të buxhetit, borxhin publik dhe “kategoritë e ngjashme të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me standardin e njerëzve”.

Gjillas pretendon se sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, borxhi i Serbisë në periudhën prej 1 janarit 2018 deri më 1 janar 2019, edhe përkundër shkurtimeve drastike, është zvogëluar për vetëm 200 milionë dollarë, gjegjësisht për 0,9 për qind simbolike.

Ai ka vlerësuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po iu jep zyrtarëve botërorë atë çfarë po grabitë nga Serbia dhe qytetarët e saj.

“Prej Kinës ka marrë disa miliardë dollarë kredi të cilat i quan investime, plus që iu ka dhënë Minierat e Borit pa pagesë. Arapëve iu ka dhënë Kargjorgjevën, PKB-në, JAT-in dhe një pjesë të madhe të Beogradit, Bechtel-it amerikan ia ka dhënë ndërtimin e autostradës, çmimi i të cilit nga 500 u rrit në 800 milionë”, ka vlerësuar Gjillas.

Sipas fjalëve të tij, Vuçiq iu ka thënë turqve miliona euro subvencione për fabrikat e tekstilit, prej Rusisë ka marrë kredi për hekurudhë, dhe MIG-at e vjetra të cilët kushtojnë rreth 200 milionë dollarë.

“Prandaj janë protestat gjithnjë e më masive dhe nuk do të ndalen derisa ky regjim nuk ndërrohet”, ka përfunduar Gjillas.