Orges Grajqevcit 5-vjeçar, pothuajse nuk i ka mbetur vend në trup pa iu kafshuar nga gjashtë qentë që i ishin vërsulur të martën.
Ai kishte dalë në oborrin e tij në fshatin Ribar të Madh të Lipjanit për të luajtur, kur u sulmua nga qentë, raporton KTV.
Nëna e Orgesit tregon se kishte qenë brenda kur kishte dëgjuar britmat e djalit të saj.
Thotë se mezi e largoi djalin nga sulmi i 6 qenve.
Sulmi nga qentë ka ndodhur rreth orës 12 dhe menjëherë është sjellë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aty është bërë qepja e plagëve dhe aktualisht, sipas mjekëve, nuk flitet për lëndime të rënda.
5-vjeçari është transferuar për mjekim të mëtejshëm në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Ndërkaq, prindërit e tij si dhe Klinika Emergjente kanë kërkuar nga institucionet që qentë endacakë të mbahen nën kontroll, pasi rastet e kafshimit nga ta janë shpeshtuar.