Fjalë Kyçe

Gjenerali serb në Bosnjë dënohet nga gjykata pasi e mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Gjenerali serb në Bosnjë dënohet nga gjykata pasi e mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka urdhëruar ndalimin e gjeneralit në pension Milomir Savçiq, pasi ai mohoi faktet e vendosura nga gjykata mbi gjenocidin e Srebrenicës në disa paraqitje publike.

Savçiq, 62-vjeç, është paraqitur në gjyq në Gjykatën e BeH në vitin 2020, nën akuzat për krime lufte, përfshirë ndihmën dhe mbështetjen e gjenocidit të më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë të Srebrenicës.

Gjykata më parë e lejoi atë të qëndrojë në liri derisa të zgjasë gjykimi i tij, por me ndalimin e paraqitjeve publike dhe komentimin e fakteve që lidhen me atë procedurë, të cilat i referoheshin edhe karakterit të krimeve për të cilat akuzohet.

Tani, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të BeH, atij i është caktuar paraburgimi për të paktën një muaj.

Gjykata pranoi vërejtjet e prokurorit Ibra Buliq, i cili tha se Savçiq kishte shkelur masat e ndalimit pasi kishte vënë në dyshim publikisht kualifikimet në aktakuzën kundër tij. Ai gjithashtu kundërshtoi ndryshimet në Kodin Penal të BeH, të cilat i vendosi ish-përfaqësuesi i Lartë për BeH Valentin Inzko, për dënime me burg për ata që mohojnë krimet e luftës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Savçiq u tha mediave serbe se ai ishte kundër “dogmës së Srebrenicës”, duke u bërë thirrje serbëve të vazhdojnë të dëshmojnë se atje nuk kishte gjenocid.

Bazuar në vendimin e gjykatës, Savçiq duhet të ndalohet menjëherë, edhe pse avokati i tij Miodrag Stojanoviq njoftoi se do të apelonte.

Gjatë luftës në BeH, Savçiq ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish -Jugosllavinë (MICT) në fillim të këtij viti pasi u shpall fajtor për krime lufte.

Ndër të tjera, Savçiq shërbeu si komandant i regjimentit të mbrojtjes në selinë e ushtrisë të kryesuar nga krimineli Mlladiq.

Sipas aktakuzës, anëtarët e regjimentit të Savçiq u përfshinë drejtpërdrejt në vrasjet e të paktën një mijë boshnjakëve të zënë robër në Nova Kasaba.