Fjalë Kyçe

Gjoba në vlerë 1.7 milion euro ka ndarë ATK-ja në vitin e kaluar për lokalet e “Lojërave të Fatit”

Gjoba në vlerë 1.7 milion euro ka ndarë ATK-ja në vitin e kaluar për lokalet e “Lojërave të Fatit”

Në 700 gjoba që ka bërë për lokalet e “Lojërave të Fatit” ATK-ja ka konfirmuar se vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milion euro.

Si çdo vit tjetër edhe këtë vit ATK-ja, konkretisht Departamenti i Lojërave të Fatit thotë se ka zhvilluar aktivitete të shumta në mënyrë që të verifikojë se sa janë duke u respektuar kriteret e Ligjit të Lojërave të Fatit nga këto subjekte.

“Për vitin 2018 janë zhvilluar 1,553 (janar-dhjetor 2017 janë zhvilluar 1,375) aktivitete në terren, ku si rezultat janë konstatuar edhe shkelje të ndryshme ligjore, të cilat janë bërë nga individë të cilët menaxhojnë këto veprimtari. Nga parregullsitë e gjetura në terren janë mbyllur 301 lokale të lojërave të fatit (në vitin 2017 janë mbyllur 198), ku numri i gjobave arrin në 700, ndërsa vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milion euro (vitin 2017 vlera e gjobave ishte 1.2 milion euro)”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Për Koha Ditore ATK-ja thotë se, “po ashtu, në Kosovë nuk ka asnjë kazino të cilën ATK e ka licencuar”.
Bazuara në Ligjin Nr. 03/L-222 – për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht nenin 84 që përcakton Konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale, përveç nëse aplikohet paragrafi 3 i po të njëjtit nen, kur tatimpaguesi mund të lirojë çdo person nga detyrimi i konfidencialitetit.

ATK-ja thotë se lirimi i tillë duhet të jetë me shkrim dhe mund të kufizohet në dhënien e informatave të caktuara ose t’i shfrytëzojë për një qëllim të veçantë.

Periudha janar – 11 mars 2019: Numri i lokaleve të mbyllura është 51 lokale, numri i gjobave të lëshuara është 108 gjoba, vlera e gjobave të lëshuara është 274000 euro.

Më tutje ATK-ja shton se numri i bizneseve të licencuar në veprimtarinë e lojërave të fatit gjithsej janë 46 subjekte: 23 me veprimtari “baste”, 17 me veprimtari “Automate” dhe 6 me veprimtari “Bingo”. Kurse kazino nuk ka të licencuar.

Në veprimtarinë me baste janë gjithsej 306 njësi të “Basteve/lokaleve. Kurse në veprimtarinë “Automate” janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtari me “Bingo” janë 6 lokale.

Bazuar në Ligjin e Lojërave të Fatit 04/L-080 dispozitat ligjore të cilat janë shkelur janë neni 76 dhe 77 i këtij ligji, siç janë baste pa licencë/pa vendime nga ATK-ja lojëra të ndaluara, si dhe automate pa licencë.

ATK pasi të pranojë vendimin zyrtar nga Qeveria thotë se do të fillojë zbatimin e tij.