Buxheti i komunës së Prishtinës po mbushet nga gjobat në trafik.
Prishtina po ia sheh hairin Policisë së Kosovës me dënimet që po aplikon në shkeljet e rregullave në trafik.
Gjobat e shqiptuara nga policia, i kanë tejkaluar të gjitha pritshmërinë e Komunës së Prishtinës për të hyrat nga kjo kategori, shkruan lajmi.net.
Sipas raportit mujor për muajin mars 2019 i hartuar nga Drejtoria e Financave e Komunës së Prishtinës shihet që për periudhën janar -mars të hyrat nga gjobat në trafik kanë qenë 538,965.00 euro. Për krejt vitin fiskal 2019, komuna ka paraparë të hyra nga kjo kategori në vlerë prej 950 mijë euro. Por për tre muaj, komuna e ka realizuar 56.73% të planit vjetor.
Vetëm në muajin mars, komuna ka inkasuar 196,132.50 nga gjobat në trafik.
Komuna ka paraparë që të ketë të hyra vjetore nga të gjitha kategoritë në vlerë prej 31,733,984.00 eurove, dhe për tre muaj janë inkasuar 6,476,879.60 euro, ose 20 për qind të planit.