Fjalë Kyçe

Gjuajti tri herë me armë zjarri në një kafene në Prishtinë, i dyshuari deklarohet para gjykatës

Remzi Beqiri, i cili po akuzohet se kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Nuhi Sopa, në kafenenë “01-PR”, që gjendet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale “vrasje në tentativë” e as për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Mbrojtësja e tij akuzuarit Beqiri, avokatja Adelina Hoxha-Shabani e informoi gjykatën se heq dorë nga paraqitja e kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhjen e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, seancën e shqyrtimi gjyqësor e ka caktuar më 26 prill 2019, në ora 9:00.

Ndërkaq, pasi i akuzuari gjendet në masën e arrestit shtëpiak, gjykatësi Kalludra tha se për të do të lëshohet urdhëresë për sjellje nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Remzi Beqirit, e kishte ngritur më 25 shkurt 2019, për shkak të veprave penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, në kafenenë “01-PR”, që gjendet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, i akuzuari Beqiri për shkak të një konflikti të mëhershëm që kishte pasur më të dëmtuarin Nuhi Sopa, kishte tentuar ta privojë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se derisa i dëmtuari Sopa kishte qenë në kafene, aty kishte hyrë i akuzuari Beqiri së bashku me vëllain e tij Labinot Beqirin dhe me disa persona të tjerë, kishte filluar ta shajë dhe të bërtas, duke iu drejtuar të dëmtuarit me fjalët “ku je magjup”, e më pas kishte shtënë tri herë në drejtim të tij.

Nga këto të shtëna, një predhë e kishte goditur të dëmtuarin Sopa mes belit, ndërsa i akuzuari Beqiri ishte larguar në drejtim të panjohur. /BetimipërDrejtësi