Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e MTPT-së.
Në këtë mënyrë, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 30 maj 2018.
Ish-ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, Endrit Shala (tani ministër i MTI-së), Nexhat Krasniqi, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka, akuzoheshin nga prokuroria për shkak të veprave penale nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, si krim i organizuar, shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi, dhe vepra të tjera penale në formë të mosdeklarimit të parave të pranuara për fushatë, parashikuar me Rregulloren e UNIMK-ut nr.2004/2 për pengimin e shpëlarjes së parave dhe veprave të ngjashme penale.
“Gjykata gjeti se shkalla e parë nuk ka bërë shkelje esenciale procedurale, ka aplikuar drejtë ligjin penal, si dhe e ka vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike”, është thënë në komunikatën e Gjykatës së Apelit.