Fjalë Kyçe

Gjykata e Prizrenit i cakton 1 muaj paraburgim tiranasit që u kap me 55 kg drogë në Vërmicë

Gjykata e Prizrenit i cakton 1 muaj paraburgim tiranasit që u kap me 55 kg drogë në Vërmicë

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji të pandehurit me iniciale A.K. nga Tirana, Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Masa e paraburgimit do t’i llogaritet prej datës së arrestimit 25.07.2019, nga ora 17:45, minuta, dhe do të zgjasë deri më datën 25.08.2019.

“Sepse i pandehuri me datë 25.07.2019, nga Shkodra duke e drejtuar automjetin e tipit ‘Opel Meriva’ ka transportuar narkotik të llojit ‘marihuanë’ dhe ‘hashash’, të cilat në një bunker, nën dysheme të automjetit i kishte fshehur, në peshë të përgjithshme prej 54,963 kg të cilat në pikë të kalimit kufitar Shqipëri – Kosovë, gjegjësisht afër fshatit Vërmicë – Komuna e Prizrenit, janë zbuluar nga kontrolli i policisë”, ka thënë Gjykata Themelore e Prizrenit.

Kujtojmë se Policia e Kosovës, në bashkëveprim me Doganën e Kosovës, gjatë zbatimit të detyrave të rregullta në Pikat e Kalimit Kufitar (PKK), më 25.07.2019, në PKK Vërmicë, një veturë me targa të huaja, e kishin dërguar për kontroll më të detajuar (në vijën e dytë).
“Gjatë kontrollimit të veturës, në një pjesë të modifikuar brenda saj, janë gjetur substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit hashash dhe marihuanë. Substanca narkotike e llojit hashash është gjetur në sasi prej 24 (njëzet e katër) paketime me peshë mbi 25 (njëzet e pesë) kg, ndërsa substanca narkotike e llojit marihuanë është gjetur në sasi prej 29 (njëzet e nëntë) paketime me peshë mbi 29 (njëzet e nëntë) kg”, është thënë në komunikatën e Policisë.

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë intervistuar të dyshuarin dhe si prova materiale kanë sekuestruar substancat që dyshohet të jenë narkotike.
Lidhur me rastin ishte arrestuar i dyshuari A. K., viti i lindjes 1996, shtetas i Shqipërisë.