Fjalë Kyçe

Gjykata Kushtetuese kërkon sqarime shtesë për marrëveshjet e Thaçit me Serbinë

Gjykata Kushtetuese kërkon sqarime shtesë për marrëveshjet e Thaçit me Serbinë

Gjykata Kushtetuese ende nuk i ka kthyer përgjigje presidentit Hashim Thaçi në kërkesën e tij për të sqaruar nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti konsiderohen të ratifikuara ose nëse patjetër duhet të ratifikohen edhe nga Kuvendi. Madje Kushtetuesja ka kërkuar sqarime shtesë nga Zyra e Presidentit. Afati i fundit për dorëzimin e këtyre sqarimeve është 24 dhjetori (sot)

Më 4 shtator presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, specifikisht pjesës e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Thaçi kishte kërkuar që Gjykata të sqaronte nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti, kështu pa pasur nevojë që ato të dërgohen në Kuvend për miratim me votat e dy të tretave (2/3) të deputetëve.

Por gardiania e Kushtetutës ende nuk ka dhënë përgjigje në këtë kërkesë, madje ka kërkuar sqarime shtesë nga parashtruesi i kësaj kërkese. Kjo është konfirmuar për gazetën “Zëri” nga Zyra për Informim e Presidentit.

Ndërsa afati për dorëzimin e këtyre sqarimeve përfundon sot. “Më 12 shtator të këtij viti Gjykata Kushtetuese na ka njoftuar për regjistrimin e kërkesës lidhur me rastin KO 131/18 dhe më 11 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese kemi pranuar kërkesë për sqarim lidhur me rastin KO 131/18, ku komentet tona kemi mundësi t’i dërgojmë deri më 24 dhjetor të po këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit për gazetën “Zëri”, por pa treguar se çfarë sqarime janë kërkuar.

Kurse Gjykata Kushtetuese në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka thënë se ende është duke e shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe se nuk ka ndonjë afat kohor që përcakton se kur duhet të merret vendimi. “Kjo kërkesë aktualisht është ende në fazën e shqyrtimit. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, ndonëse nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.