Fjalë Kyçe

Gjykata merr vendim për Dardan Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur ku u vodhën 450 mijë euro

Gjykata merr vendim për Dardan Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur ku u vodhën 450 mijë euro

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar sot masën e paraburgimit ndaj Dardan Gashit, i dyshuar lidhur me grabitjen e armatosur në Parallovë të Gjilanit më 18 nëntor.

Kjo masë i është caktuar në seancën e sotme paragjyqësore, e cila është mbajtur nga ora 14:00.

Avokati i Gashit ka thënë se ky i fundit vetëm e ka shitur veturën e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

“I është caktu paraburgimi. Nuk ka dëshmi bindëse, por e drejtë e prokurorit është me dyshu. Ky e ka shitë atë veturë. Vetëm atë që ia ka shit veturën e njeh me pa. Më shumë s’ka asgjë”, ka thënë ai për reporterin.net

Para dy ditësh, Policia e Kosovës ka arrestuar Dardan Gashin, 29-vjeçar, si njëri nga të dyshuarit lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi në Parallovë të Novobërdës gjatë muajit të kaluar.

Ndaj Gashit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “grabitja”.

Me datë 18 nëntor, vetura e një kompanie sigurimi e cila ishte në lëvizje në rrugën Prishtinë-Gjilan, më saktësisht në fshatin Parallovë është grabitur nga persona të armatosur.

Ata grabitën paratë e kompanisë duke ikur më pas në drejtim të panjohur. Policia pati raportuar se nga kjo grabitje nuk ka të lënduar.

“Është raportuar se katër persona të pa njohur duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47, kanë grabitur një shumë parash dhe dy armë zjarri, pronë e një kompanie të sigurimit dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Të dyshuarit më pas i kanë vënë zjarrin veturës së tyre të llojit Opell Zafira”, thuhej në njoftimin e policisë.

20 metra larg vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një armë e cila është përdorur gjatë grabitjes.