Fjalë Kyçe

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari thotë se ka qëndruar më shumë se një muaj i mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari thotë se ka qëndruar më shumë se një muaj i mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës

Dëshmitari i gjashtë me kodin 11, në gjykimin e Pjetër Shalës, duke u përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, tha se ka qëndruar në fabrikën e metalit në Kukës më shumë e 1 muaj i mbyllur.

Duke qenë se seanca ka qenë me sesione private dhe përmbajtje të redaktuar, në pjesën publike dëshmitari tha se ka qëndruar në një dhomë brenda kësaj fabrike sa i kujtohej 1 muaj e 5 ditë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Deri te kjo dhomë tha se ishte shoqëruar nga një person civil e që paraprakisht kishte qenë në një zyre në të cilën i ishin larguar lidhëset e këpucëve.

Ai tha se ndërtesa ishte një katëshe dhe se me të hyrë në atë ndërtesë kishte qenë një korridor i vogël dhe dhoma e mbyllur në të majtë të cilën e përshkroi se ishte ‘‘4 me 4’’.

I njëjti tha se gjatë kësaj periudhe, nga zyra deri tek dërgimi në dhomë nuk iu ishte bërë ndonjë pyetje nga askush.

Ai ka thënë se ishte larguar nga Kosova për shkak të presionit nga paramilitarët serbë.

“Kishim presion prej paramilitarëve serbë dhe u detyrum me ikë, me pshtu familjen”, ka thënë dëshmitari.

Ai paraprakisht tha se nuk ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por se para se të largohej për në Shqipëri, kishte qenë në Kosovë kur NATO kishte filluar fushatën bombarduese.

“Po, kam qenë deri më 27 prill në Kosovë, më 27 prill 1999 kam dalë me familje në Shqipëri”, shtoi ai.

Pas kësaj, prokurori nga ZPS, Filippo De Minicis ka kërkuar që të kalohet në seancë private.

Gjatë ditës së sotme ka përfunduar dëshminë dëshmitari i pestë me radhë (me kodin 10) në rastin e Pjetër Shalës.

Dëshmitari fillimisht pohoi se e njeh Frank Berishën dhe Pren Berishën, këtë të fundit tha se e njeh se kishte qenë i burgosur në burgun e Prizrenit.

Kundër-pyetjet tjera të parashtruara nga ana e avokates mbrojtëse Leto Cariolou janë bërë në sesion privat.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Mappie Veldt-Foglia tha se personat e ndaluar që mbërrinin në shtabin e Kukësit dërgoheshin aty nga komandantët e ‘‘mëdhenjë’’.

Ai tha se ata vinin me vetura dhe se i njëjti në hyrje të ndërtesës nuk mund ta dinte nëse ata ishin të dyshuar, por se këtë e kuptonte më vonë, kjo pasi që pas marrjes në pyetje sipas tij, disa i lëshonin dhe disa i mobilizonin në ushtri.

Kur u pyet nëse ata persona vinin në shtab me duar të lidhura, ai u përgjigj ‘‘unë si kom pa me duar të lidhura’’.

Lidhur me këtë, gjykatësja Veldt-Foglia e ballafaqoi me deklarimet e mëhershme para Zyrës së Prokurorit të Specializuar por që DhSK vendosi që kjo pjesë të ketë përmbajtje të redaktuar.

Në pjesën publike, dëshmitari tha se ‘‘është mundësia që kam thënë por kam harruar’’, duke shtuar se kur ata vinin me makinë ndonjëherë komandantët i dërgonin në zyre apo në pavijonin numër 1.

Tutje, dëshmitari tha se personat e ndaluar kishin qenë shqiptarë, por i kujtohet se ka pasur edhe romë.

Kurse, i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Gilbert Biitti, se a kishin qenë kushtet e këqija në ndërtesën ku ishin mbajtur të dyshuarit, dëshmitari tha se kushtet kishin qenë të njëjta për të gjithë.

“Sikur për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë kanë qenë, se kur hajshim na bukë edhe ata hajshin”, tha dëshmitari.

Tutje, i pyetur nga gjykatësi Biitti, se a kanë ngrënë në të njëjtin vend ushtarët dhe të dyshuarit, dëshmitari tha se jo, sipas tij ushtarët vetëm ua kanë dërguar ushqimin.

“Jo, jo ushtarët ja qojshin, unë vet njëherë me komandantin ju kom qu bukën, po për dit s’ka pas bukë me hongër’’, tha ai.

E me pas, dëshmitari është ballafaquar me një pjesë të dëshmisë së tij të dhënë në ZPS, dhe është pyetur nga gjykatësi se përse ka thënë se kushtet e përgjithshme në ndërtesën 1 kanë qenë shumë të këqija, e që dëshmitari tha se këtë e ka deklaruar pasi që sipas tij të dyshuarit kanë qenë të mbyllur dhe nuk kanë pasur mundësi të dalin sikur të tjerët.

Më 25 prill Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.