Fjalë Kyçe

Gjykimi për vrasjen e motrës, eksperti thotë se tek e akuzuara janë plotësuar kriteret diagnostike për çrregullim mendor

Gjykimi për vrasjen e motrës, eksperti thotë se tek e akuzuara janë plotësuar kriteret diagnostike për çrregullim mendor

Eksperti Bujar Obërtinca ka thënë se tek e akuzuara F.S. janë plotësuar kriteret diagnostike për çrregullimin mendor të quajtur çrregullim akut psikotik.

Një deklarim të tillë, eksperti Obërtinca e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke përgjigjur në pyetjet lidhur me ekspertizën që e ka përpiluar së bashku me doktor Gani Halilajn dhe doktor Shpend Haxhibeqirin, në rastin ku F.S. po akuzohet se ka vrarë motrën e saj T.S. në Fushë Kosovë.

“Tek e ekzaminuara jonë janë plotësuar kriteret diagnostike për çrregullimin mendor të quajtur çrregullim akut psikotik, i cili sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve mendore kodohet me shifra F-23, karakteristikat e këtij çrregullimi janë përkeqësimi i shpejtë i gjendjes së shëndetit mendor me pranin e simptomave psikotike që nënkuptojnë pranimin e deluzioneve ose bindjeve të gabuara në formë të ideve të madhështisë, raportit, persekutimit”, deklaroi Obërtinca.

I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ilaz Beqiri, ka deklaruar se ekipi i cili ka përpiluar ekspertizën ka konstatuar se kapaciteti i të akuzuarës F.S. ka qenë i zvogëluar në shkallë esenciale.

“Prandaj, duke u bazuar në karakteristikat e këtij çrregullimi, ekipi vlerësues në përbërje të tre ekspertëve, ka konstatuar se kapaciteti i saj për të kontrolluar veprimet dhe për të pasur një gjykim të drejtë ka qenë i zvogëluar në shkallë esenciale”, tha eksperti Obërtinca, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani, eksperti Obërtinca sqaroi se aftësia e të akuzuarës F. S. për t’i kontrolluar veprimet në kohën e kryerjes së veprës ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale.

“Siç e kemi caktuar në pikën numër tre, aftësia e saj për kontrollin e plotë të veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale për arsye se e njëjta në kohën e kryerjes së veprës ka manifestuar deluzione të raportit, të cilat edhe janë përshkruar në vlerësimin të cilin ia kemi dorëzuar gjykatës”, tha i njëjti.

I pyetur nga anëtarët e trupit gjykues, eksperti ka thënë se elementi që ka përcaktuar shkallën e përgjegjshmërisë tek e akuzuara F.S., ka qenë fakti se e njëjta ka ikur nga vendi i ngjarjes pas ndodhjes së rastit.

“Pikërisht ky element, ka qenë elementi i cili e ka përcaktuar shkallën e përgjegjshmërisë, e njëjta e ka ditë që ka bo diçka keq dhe kjo ka qenë arsyeja e largimit prej vendit të ngjarjes”, ka deklaruar ai.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe eksperti Arsim Gërxhaliu, psikiatër në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Beqiri, ka deklaruar se në trupin e tani të ndjerës ka vrojtuar edhe ndryshimet e përshkruara në pjesën e qafës.

“Për të ndjerën T.T., në të cilin trup kam vrojtuar ndryshimet e përshkruara në pjesën e qafës në të cilën janë vrojtuar kontuzionet – hematomet në forma të rrumbullakëta të cilat konsistojnë nga ndrydhja me gishtërinjtë e dorës së majtë, me ç’rast nga kjo ndrydhje me duar ka ardhë deri tek komprimimi i strukturave të qafës, me ç’rast ka shkaktuar edhe vdekjen e të ndjerës”, ka deklaruar eksperti Gërxhaliu.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Shaljani, i njëjti deklaroi se personalisht nuk ka parë ndonjë shami në trupin e të ndjerës.

“Unë personalisht nuk e kam pa të njëjtën – shaminë, nuk është në pjesën e gjësendeve që i ka pasur e ndjera në trup, ndoshta policia apo AKF i posedon por unë nuk i kam parë, për mua edhe po të ishte, nuk është shkaktar i vdekjes por është ajo që e shpjegova më lartë do të thotë shtrëngimi me duar-gishtërinjtë”, tha Gërxhaliu.

Eksperti Gërxhaliu, tha se ka vrojtuar tek qafa e të ndjerës kontuzionet e gishtërinjve.

“Tek qafa e të ndjerës vrojtojmë kontuzionet në formë të mollëzave apo të rrumbullakëta të gishtërinjve dhe atë në anën e djathtë, tri mirë të theksuara dhe e katërta më e dobët, kurse në anën e majtë vetëm një që i përgjigjet gishtit të madh të dorës së majtë”, tha Gërxhaliu.

Në këtë seancë, i pranishëm ishte edhe eksperti Gani Halilaj, mirëpo për të njëjtin nuk kishte pyetje.

Gjithashtu, avokati Shaljani propozoi që të ftohet në cilësi të dëshmitares doktoresha Hidajete Pireva, me qëllim që të dëshmojë për gjendjen e të akuzuarës S. gjatë kohës sa ka qenë në kontrolle mjekësore tek e njëjta, propozim ky që u kundërshtua nga prokurori dhe që u aprovua nga trupi gjykues.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 19 korrik.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila akuzohet se deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal.