Fjalë Kyçe

Gjyqtarja Arjeta Sadiku zgjedhet anëtare e KGJK-së

Gjyqtarja Arjeta Sadiku zgjedhet anëtare e KGJK-së

Gjyqtarja nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Arjeta Sadiku është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nga radhët e gjykatave themelore.

Me 129 vota për, gjyqtarja Sadiku është zgjedhur fituesja e parë në garën për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Anëtari i dytë do të zgjedhet në raundin e radhës, ku në garë janë gjyqtarët Mirlinda Bytyqi-Rexhepi dhe Fidan Hoxha.

Në raundin e parë gjyqtari Hoxha mori 124 vota, kurse gjyqtarja Bytyqi-Rexhepi mori 101 vota.

Ndryshe, nga 317 gjyqtarë të gjykatave themelore me të drejtë vote, në raundin e parë kanë votuar 253 prej tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në garë për dy pozita kanë qenë gjashtë kandidatë që janë nominuar nga gjykatat themelore të Kosovës, me përjashtim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Kjo e fundit, veçse e ka përfaqësuesin e vet në KGJK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konkretisht, në garë për anëtarë të rinj të KGJK-së kanë qenë gjyqtarët, Arjeta Sadiku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Mirlinda Bytyqi-Rexhepi nga Gjykata në Ferizaj, gjyqtari Fidan Hoxha nga Gjykata në Prizren, Veton Ademaj nga Gjykata në Pejë, Besnik Bislimaj nga Gjykata në Gjakovë dhe gjyqtari Veli Kryeziu nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Të gjithë këta kandidatë i kishin fituar garat e brendshme që ishin zhvilluar gjatë këtij muaji në gjykatat e tyre respektive.