Fjalë Kyçe

Goditja amerikane ndaj Kosovës s’ka të ndalur

Goditja amerikane ndaj Kosovës s’ka të ndalur

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, duke theksuar se taksa po e minon partneritetin me shtetin më të fuqishëm në botë. Ndërsa mediet dje kanë raportuar se dy përfaqësuesit e presidentit Trump që kanë vizituar Kosovën kanë kërcënuar spektrin politik në vend se nëse nuk tërhiqet taksa do ta tërheqin ushtrinë nga kampi “Boondsteel”.

Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka dhënë goditjen e radhës për Qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake minon partneritetin me shtetin më të fuqishëm në botë. Kështu thuhet në një komunikatë për medie të kësaj Ambasade, pas vizitës dyditore që kanë zhvilluar në vend zyrtarët amerikanë John Erath dhe Brad Berkley.

Madje mediet në vend kanë raportuar dje se Erath dhe Berkley kanë kërcënuar spektrin politik në vend se nëse Kosova nuk e tërheq taksën Amerika do ta tërheqë ushtrinë nga Kosova, përkatësisht nga kampi “Boondsteel”, pas refuzimit të kryeministrit Haradinaj që ta heqë taksën, shkruan Zëri.

Por, në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së thuhet se zëvendësdrejtori i lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath dhe drejtori i NSC-së për Çështje Evropiane Brad Berkley kanë ardhur për ta përforcuar porosinë e presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”.

“Në të dyja kryeqytetet ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se dialogu duhet kthyer në binarë dhe se të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tryezën negociuese”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.