Fjalë Kyçe

Grenell mbetet i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Grenell mbetet i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

“Ambasadori Grenell u konfirmua për rolin e tij si ambasador nga Senati në prill të vitit 2018 dhe ai ka disa vite përvojë duke punuar me Komunitetin tonë të Inteligjencës në një numër pozicionesh shtesë, duke përfshirë pozitën si i Dërguar Special për negociatat Serbi-Kosovë dhe si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

“Ai është i përkushtuar për një qasje jo-politike, jo-partizane si udhëheqës i Komunitetit të Inteligjencës, nga e cila varet siguria dhe mbrojtja jonë. Presidenti ka besim të plotë se Ambasadori Grenell do të kryejë detyrat e tij të reja me nder”, theksohet ën deklaratë.

Edhe pas emërimit në pozitën e re, Grenell do të mbetet i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të konfirmojmë që ambasadori Grenell do të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Gjermani, i dërguari special presidencial për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe tani si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, njëkohësisht”, ka thënë në një komunikatë dërguar mediave, Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit Grenell.

Custin ka konfirmuar se Grenell ka pranuar pozitën që i është ofruar nga presidenti Trump.

Ndërkohë presidenti Trump kishte ritheksuar gjatë ditës besimin e madh që ka në ambasadorin Grenell.

“Jam i kënaqur të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtrues detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”, ka shkruar presidenti Trump në Twitter.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e nohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Nuk është e qartë nëse ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Sipas ligjit federal, afati i mandatit për një ushtrues detyre në agjencitë ekzekutive, i emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, është 210 ditë.

Pastaj, kërkohet miratimi i Senatit.