Fjalë Kyçe

Greva, Kontrollerët e Trafikut Ajror kanë këtë paralajmërim

Greva, Kontrollerët e Trafikut Ajror kanë këtë paralajmërim

Shoqata Sindikale e Kontrollerëve të Trafikut Ajror, ditën e sotme ka mbajtur grevë një orëshe për të kundërshtuar përfshirjen e Agjencisë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në ligjin për pagat. Ndërkohë, ditën e nesërme kanë paralajmëruar se do të mbajnë grevë 4 orë, për të vazhduar ditën e premte me grevë nga ora 8-16, derisa të shtunën në grevë do të jenë nga ora 8-20.00.

Greva do të pezullohet ditën e diel për nder të shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar të hënën me grevë 24 orësh.

E nëse pas këtyre grevave nuk ndërmerret diçka sindikatat thonë se do të vazhdojnë me greva të tjera. Gjatë grevës që sot është mbajtur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” nuk është nisur dhe nuk ka aterruar asnjë aeroplan.

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajror, Artan Hasani, ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror dhe ka bërë thirrje që ligji të mos dekretohet nga presidenti.

Hasani bëri të ditur kanë provuar të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar Ligjin për pagat dhe greva sipas tij është rruga e fundit që po e përdorin për ta shprehur kundërshtinë e tyre ndaj ligjit.

Po ashtu, ai ka ftuar presidentin që të mos e dekretojë Ligjin për paga. Ndërsa kryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Kontrollit Ajror, Kushtrim Fazliu, ka thënë se beson që kërkesa e tyre do të shqyrtohet, shkruan KP.

Në një njoftim të mëhershëm të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror thuhet se përfshirja e Agjencisë në ligjin për paga është në kundërshtim me praktikat e Komisionit Evropian për pavarësinë e Agjencive që menaxhojnë trafikun ajror, kur dihet mirëfilli së të hyrat e tyre gjenerohen  nga shërbimet e navigimit ajror që u ofrohen kompanive ajrore.

Po ashtu, thuhet se përfshirja në Ligjin e Pagave bie ndesh edhe me Nenin 5.5 të Ligjit për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku theksohet se ASHNA ka kapacitet të plotë juridik dhe vepron si ofrues i shërbimeve jofitimprurëse, i cili mbulon shpenzimet dhe bazohet në performancë.