Fjalë Kyçe

Greva në arsim, a do të kompensohen orët e humbura?

Greva në arsim, a do të kompensohen orët e humbura?

Pas tri javëve të grevës, nga e hëna, në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë ka rifilluar procesi mësimor. Pas arritjes së qëllimit për rritjen e koeficientit të pagave për mësimdhënësit, tani çështje tjetër që pret zgjidhje është se si do të kompensohen orët e mësimit të humbura përgjatë tri javëve të grevës.

Janë gjithsej 14 ditë mësimi të humbura, për të cilat Këshilli i Prindërve të Kosovës, kërkon që kompensimi të realizohet në momentet më të favorshme për nxënësit.

Kryetari i këtij Këshilli, Ymret Reshitaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se prindërit kërkojnë nga institucionet arsimore që të vendosin kohën për kompensimin e njësive mësimore.

Sipas tij, Këshilli ende nuk ka propozuar ndonjë periudhë ose ditë konkrete, por bëhet fjalë për vijimin e mësimit edhe të shtunave, pastaj gjatë festave, si dhe anulimin e pushimit pranveror, i cili sipas kalendarit shkollor është në muajin prill. Një opsion tjetër është edhe zgjatja e procesit mësimor në kohën e pushimeve verore.

“Tri javë është një humbje shumë e madhe. Megjithatë, unë konsideroj se Ministria e Arsimit së bashku me ekspertët duhet të bëjë një plan specifik, sepse kjo situatë që ka ndodhur me kohëzgjatje të madhe të grevës, me të vërtetë do të sjellë shumë probleme lidhur me zëvendësimin e orëve mësimore”, tha Reshitaj.

Në anën tjetër, sipas përfaqësuesve të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), sindikatë kjo që ka organizuar grevën, në bazë të Ligjit për greva, nuk është e obliguar që orët e humbura të kompensohen.

Por, megjithatë, Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, tha se mësimdhënësit do zëvendësojnë orët e humbura.

Ajo tha se u mbetet mësimdhënëse që të vendosnin se në çfarë kohë do të kompensohen orët e humbura.

“Mësimdhënësit do t’i kompensojnë patjetër njësitë mësimore dhe do të arrijnë rezultatet e duhura. SBASHK-u, tashmë ka angazhuar kryetarët e shoqatave që të bisedojnë me mësimdhënësit dhe çfarëdo që vendosin ata, ne do të jemi zëri i tyre dhe do të vendosim. Po ashtu, do të konsultohemi edhe me drejtoritë komunale të arsimit, mirëpo mësimdhënësit vendosin”, tha Shala.

Ndërkaq, sipas Udhëzimit Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019 thuhet se për çdo ndryshim të kalendarit, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MASHT) merr vendim të veçantë.

Kurse në Ligjin për arsimin parauniversitar në Kosovë thuhet se “Ministria duhet të nxjerrë akte nënligjore lidhur me: kalendarin shkollor dhe periudhën kohore të vitit shkollor në kuadër të Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës dhe kohëzgjatjen e orës së mësimit dhe pushimeve shkollore ose festat”.

Valmir Gashi, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se Ministria do të ftojë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit dhe në koordinim me ta do të vendoset se cilat janë ditët apo koha më e përshtatshme për të zëvendësuar orët e humbura.

Pas tre javësh grevë, sindikalistët e arsimit janë pajtuar me ofertën e institucioneve për rritjen e koeficientit të pagave, në Ligjin për Paga, por jo në nivelin që është kërkuar nga SBASHK-u.

Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), përmes një komunikate për media ka thënë se “kush do të japë përgjegjësi për këtë mashtrim dhe dëm që iu është bërë nxënësve të të gjitha niveleve për shkak të grevës së panevojshme dhe të paarsyeshme? A duhet nxënësit të humbin pushimin duke mbajtur orë plotësuese e zëvendësuese për shkak të papërgjegjësisë së SBASHK-ut?”.

KMDLNj mendon se orët nuk duhet të zëvendësohen, por se duhet të thirren në përgjegjësi të gjithë ata që kontribuuan për këtë gjendje, “që nga institucionet parashkollore e deri tek ai i arsimit të lartë”, thuhet në komunikatën për media.