Një grua 21-vjeçare në El Salvador, foshnja e së cilës u gjet e vdekur në tualetin e banesës së saj ku lindi, ka fituar betejën me drejtësinë.
Evelyn Hernandez kishte mohuar në vijimësi akuzat, duke thënë se nuk e dinte që ishte shtatzënë dhe se e humbi vetëdijen gjatë lindjes.
Prokurorët kishin kërkuar dënimin me 40 vjet burg.
Çështja e Hernandez ka marrë vëmendjen e aktivistëve të të drejtave të grave brenda dhe jashtë El Salvadorit, duke kërkuar lirimin e saj.
El Salvador ka një nga ligjet më të rrepta kundër abortit në botë. Aborti është i paligjshëm në të gjitha rrethanat dhe ata që shpallen fajtorë përballen me dy deri në tetë vjet burg.
Por në shumë raste, duke përfshirë edhe atë kundër zonjës Hernandez, akuza klasifikohet si një nga vrasjet më të rënda, për të cilën parashikohet një dënim minimal 30 vjet.
Çështja e zonjës Hernandez ishte e para e këtij lloji në El Salvador në të cilën ishte urdhëruar rigjykim i plotë.
Më parë, gratë e akuzuara për abortimin e foshnjave të tyre morën dënime të ulëta pasi dënimi me burgim 30-vjeçar konsiderohej “joproporcional dhe imoral”, por aktgjykimet e tyre nuk u rrëzuan.
“Unë jam gati të shpërthejë nga lumturia,” tha avokatja e Hernandez, Bertha Maria Deleon.
“Sot është një ditë e shkëlqyer për drejtësinë. Ne mundemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë sepse ka akoma gra të akuzuara që kanë nevojë urgjente për drejtësi. Por sot mund të buzëqeshim”, vijoi ajo.
Aktivistët e të drejtave të grave shpresojnë tani që rigjykimi i zonjës Hernandez do të krijojë një precedent, duke lejuar gratë e tjera të burgosura nën ligjet e rrepta kundër abortit të El Salvadorit të luftojnë për kundër dënimit të tyre.
Çfarë ndodhi?
Evelyn Hernández tha se përjetoi dhimbje të forta në stomak dhe gjakderdhje ndërsa ishte në shtëpinë e saj në një zonë rurale në El Salvador. Ngjarja ndodhi me 6 prill 2016.
Ajo shkoi në tualetin që ndodhej jashtë shtëpisë dhe humbi vetëdijen. Nëna e saj e çoi në një spital, ku mjekët zbuluan se ajo kishte lindur.
Ajo u arrestua pasi trupi i fëmijës së saj u gjet në rezervuarin septik të tualetit.
Zonja Hernández, e cila ishte 18 vjeçe, tha se ishte përdhunuar nga një anëtar i bandës, por nuk e kishte idenë që ishte shtatzënë.
Ajo tha se kishte ngatërruar simptomat e shtatzënisë me dhimbjen e stomakut, sepse kishte provuar gjakderdhje të përhershme, për të cilat mendonte se ishte periudha e saj menstruale.
“Nëse do ta dija se isha shtatzënë, do ta prisja lindjen me krenari dhe gëzim,” tha ajo asokohe.
Ajo gjithashtu tha se ndërsa kishte “ndjerë diçka të lirshme” brenda saj, nuk dëgjoi një fëmijë të qante dhe nuk e kuptonte që po lindte.
Fillimisht ajo u akuzua për abort, por akuza u ndryshua në një prej vrasjeve të rënda me prokurorët duke argumentuar se ajo kishte fshehur shtatzëninë dhe nuk kërkonte kujdes para lindjes.
Në korrik të vitit 2017, gjykatësi vendosi që zonja Hernandez e dinte që ishte shtatzënë dhe e shpalli atë fajtore. Ajo u dënua me 30 vjet burg, dënim nga i cili tashmë ka vuajtur 33 muaj.
Pse u rigjykua çështja?
Avokatët e zonjës Hernandez apeluan kundër vendimit të gjykatësit. Ata thanë se testet mjekoligjore treguan se foshnja kishte vdekur nga aspirata mekonium, duke thithur jashtëqitjen e tij të hershme. Kjo mund të ndodhë ndërsa fëmija është akoma në mitër, gjatë lindjes ose menjëherë pas lindjes.
Avokatët thanë se testi vërtetoi që zonja Hernandez nuk ishte përpjekur të abortonte fëmijën por ajo kishte vdekur nga shkaqe natyrale.
“Nuk ka asnjë krim,” tha avokati i mbrojtjes Bertha Maria Deleon.