Kampionati anglez do të luajë sot shtatë ndeshje për javën e 22-të. Kalendari ka rezervuar sfida interesante ku bie në sy transferta e vështirë e skuadrës së Liverpoolit ndaj modestëve të Brajtonit.
Skuadra e Jurgen Klop do të kërkojë të rikthehet te fitorja pas humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Manchester Cityt.
“Reds”-at kryesojnë kampionatin me katër pikë më shumë se skuadra e Guardiolës që do të luajë në shtëpi ditën e hënë në orën 21:00 ndaj Wolvesit. Ndërkohë, sfida tjetër interesante do të jetë ajo midis Chelseas dhe Newcastle në “Stamford Bridge”.
Skuadra e trajnerit italian, Mauricio Sarri, ndodhet në vendin e katërt të tabelës dhe kërkon të sigurojë këtë pozicion. Newcastle ndodhet në vendin e 15-të dhe do të shkojë në Londër për t’u shkëputur nga zona e ftohtë.
Trajneri spanjoll i Manchester Cityt nuk ka ngurruar të ironizojë edhe kundërshtarët historikë të Manchester United. Pasi mundi Liverpoolin në ndeshjen e fundit, City është rikthyer sërish pretendent për titull, duke ngushtuar diferencën në vetëm katër pikë ndaj “Reds”-ave.
“Do të kisha dëshirë shumë të madhe të kisha çuar skuadrën me pushime në një vend me diell”, u shpreh Guardiola teksa i referohej grumbullimit të Unitedit në Dubai gjatë pushimeve dimërore. Ndërkohë, Kevin de Bryne nuk ka qenë i kënaqur me zëvendësimin e tij në minutën e 58-të ndaj Brajtonit ku skuadra e Cityt fitoi me rezultatin e thellë 9-0.
Belgu ka shkuar direkt për në dhomat e zhveshjes në shenjë revolte ndaj vendimit të trajnerit spanjoll, duke mos u pajtuar me këtë zëvendësim. Mesfushori është rikthyer së fundmi nga një dëmtim i rëndë dhe ka kërkuar të ketë më shumë minuta në këmbët e tij për të qenë në formë më të mirë në ndeshjet e ardhshme.