Personat që ekspozohen ndaj një doze më të lartë të koronavirusit, kanë gjasa të sëmuren rëndë prej tij, paralajmëron një shkencetare në zë.
Profesoresha Lucy Yardley, nga Universiteti i Bristolit, i tha BBC-së se provat tregojnë që “ngarkesa virale” luan një rol të rëndësishëm në mënyrën e sëmundjes.
Kjo shpjegon sipas saj, pse kaq shumë punonjës të kujdesit shëndetësor – të cilët janë në kontakt me pacientët e sëmurë rëndë –janë bërë viktima të epidemisë.
Një ngarkesë e madhe virale i jep fuqi sëmundjes që në fillim, argumenton ajo, ndërsa rrit nga ana tjetër rrezikun që sistemi imunitar i një pacienti të mbingarkohet në betejën e tij kundër COVID-19.
Kjo do të thotë me pak fjalë, sipas Yardley, se dikush që është infektuar në mënyrë indirekte, për shembull duke prekur një dorezë dere, mund të përfundojë me simptoma më të butë sesa dikush që goditet nga kolla e spërklat e një personi të infektuar.
Ekspertja paralajmëroi se virusi mund të jetë më vdekjeprurës nëse përhapet në mes të familjarëve që ndodhen në të njëjtën shtëpi për shkak të kontakteve të ngushta e të zgjatura mes tyre.