Fjalë Kyçe

Hajdari: Si Qeveri nuk po ngutemi për pako të re të rimëkëmbjes

Hajdari: Si Qeveri nuk po ngutemi për pako të re të rimëkëmbjes

Qeverisë Kurti nuk po i ngutet të nxjerrë pako të reja mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, derisa shteti fqinj Maqedonia e Veriut ka nxjerrë 6 sosh kundër pandemisë Covid-19.

Duke iu përgjigjur sekretarit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Diamant Elshani se si mund të ringjallet ekonomia pas pandemisë, tani kur vendi ka stabilitet politik, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Qeverisë Kurti tani nuk po i ngutet të bëjë shpejt pako të ndryshme për rimëkëmbjen ekonomike.

“Kosova ka shumë mundësi të dalë nga kjo situatë, por duhet theksuar se edhe përparësitë rajonale ndoshta na ndihmojnë. Megjithatë së pari ne si Republikë e Kosovës mund të bëjmë, unë e kam parë që në sistemin që e kemi trashëguar industria nuk ka qenë e analizuar. Industria nuk e ka asnjë analizë të sektorëve se ku janë potencialet për rritje ekonomike… Kështu që me Qeverinë Kurti tani nuk po ngutemi me pako të ndryshme shpejt dhe me ndikuar në diçka që ndoshta nuk ka ndikim pozitiv shumë të lartë. Pakoja e dytë nuk ishte aq me impakt pozitiv në ekonominë tonë, ishte një pako e ngutshme dhe nuk përfituan sektorët kryesor të cilët kanë humbur… në përgjithësi Kosova sa i përket turistëve deri 92 përqind humbje. Është një humbje e madhe jo vetëm për gastronominë, por për gjithë sektorin e turizmit”, tha Hajdari.

Ministrja Hajdari këtko komente i bërinë konferencën rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” që u mbajt sot në Prishtinë, të organizuar nga OAK.

Në këtë forum, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Fatmir Bytyqi tha se vlera totale e pakos mbështetëse kundër pandemisë është 1.1 miliard euro deri tash.

Ai përmendi edhe sfidat me të cilat po përballet ky shtet, siç tha ai me shkallën e lartë të informalitetit, dhe si pasojë e kësaj ai tha se vetëm 19 mijë janë të evidentuar si të papunë në Maqedoninë e Veriut.

“Në analizën për Maqedoninë e Veriut, nuk u cek sa sa ishte pakoja totale, ajo shkon në 1.1 miliard euro ose thënë ndryshe në 10 përqind të GDP-së tonë, aq ishin pakot. Nëse analizohet brenda asaj çfarë pako ka pasur dhe çfarë masash ka pasur intervenime direkte buxhetore në aspektin e futjes së mjeteve financiare për përkrahjen e likuiditetit dhe për përkrahjen e vendeve të punës, por nga ana tjetër kishte edhe masa që ishin masa afatmesme dhe afatgjata. Ne jemi në mes vendeve të rralla që gjatë pandemisë kemi krijuar mekanizma të ri për kreditimin e bizneseve, kemi fut linjë kreditore me garancinë shtetërore… një element i ri që është thelbi i asaj çfarë ndodhi me pandeminë dhe kjo do të jetë sfida e periudhës së ardhshme, jo vetëm për ekonominë tonë, por edhe për gjithë rajonin është ekonomia jo formale… vetëm 19 mijë janë për shkak të Covid-19 që kanë ngelur pa punë… Derisa kemi ekonomi jo formale në përqindje, në Maqedoni 38 përqind të ekonomisë së përgjithshme, në Kosovë mund të jetë një lloj sikur në gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, prandaj është e vështirë me fol vetëm për politika zhvillimore pa e parë edhe këtë pjesë… nuk i lë faj kësaj pjese, i lë faj asaj që (Nagip Fejzi) i adresohet politikanëve ose bartësve të funksioneve ”, tha Bytyqi.

Ai përshkroi edhe goditjen ekonomike nga Covid-19, që sipas tij, Maqedonia Veriore pësoi 4.5 të GDP-së, ndërsa Mali i Zi 15 përiqnd të GDP-së.

Në panelin “Sfidat e odave për përkrahjen e bizneseve gjatë pandemisë, Covid-19”, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, Arben Breshani tha se ky vit i pandemisë tregoi që rajoni bashkëpunon me njëri-tjetrin dhe ka nevojë për një bashkëpunim akoma edhe më të madh.

Ndërsa, tha se krizën e pandemisë mund ta kalojnë këto vende vetëm me turizëm patriotik.

“Pasi Dhoma e Tregtisë mbulon qytetin e Vlorës, Himarës deri në Sarandën, dhe duke qenë një rajon i gjerë e turistik, është një rajon që është prekur më shumë nga kriza e pandemisë dhe gjithmonë thirrja jonë edhe gjithë faktorëve si nga biznesi ashtu edhe faktorit shtetëror ka qenë që ta tejkalojmë këtë krizë pandemie me një turizëm patriotik. Ne kemi pasur një rënie gati 50 përqind”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha tha se i odë kanë adresuar të gjitha sfidat të cilat i shkaktoi pandemia Covid-19.

Hoxha theksoi se për të arrit një qëndrueshmëri ekonomike duhet një bashkëpunim i mirëfilltë i sektorit privat dhe i institucioneve qeveritare.

“Ne si biznese kërkojë gjithmonë rrugëdalje të realizimit të aspiratave në aspektin ekonomik. Për ta arrit një qëndrueshmëri ekonomike duhet një bashkëpunim i mirëfilltë i sektorit privat dhe i institucioneve qeveritare, respektivisht qeverisë… pamë se kemi një dallim të madh në aspektin e masave kundër pandemisë, duke u nisur nga Shqipëria me 2 pako, kurse Maqedonia me numër 6 të pakove kundër pandemisë. Efekti i tyre mendoj se matësi më i mirë është qëndrueshmëria ekonomike dhe likuiditeti i kompanive së bashku me mbajtjen e numrit të të punësuarve në vendet tona”, u shpreh ai.

Në këtë Konferencë të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, në bashkëpunim me partnerët e saj kanë marrë pjesë shumë personalitete nga politika dhe biznesi nga vendi dhe rajoni.