Fjalë Kyçe

Haki Abazi e kërcënon Baton Haxhiun: Po ta bëj më zi se në Klan

Haki Abazi e kërcënon Baton Haxhiun: Po ta bëj më zi se në Klan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj mediumit Albanian Post dhe drejtorit të saj, Baton Haxhiu.

Përmes një komunikate, AGK thotë se është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu.

“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas këtij asocacioni kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë.

“Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit”, thuhet në reagimin e shoqatës së gazetarëve.