Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Haki Abazi janë përplasur sot në mbledhjen e Komisioni për Punë të Jashtme.
Kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti po kërkonte nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, në mbledhjen raportuese të saj, Pacolli e tërhoqi vërejtjen që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale.
“Ne detyrohemi me e lëshu sallën dhe me e lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, ka thënë Pacolli.
E pas kësaj deklarate të Pacollit, ka reaguar deputeti i VV-së, Haki Abazi. Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres.
Reagimi i Abazit erdhi pas tërheqjes së vërejtjes së Pacollit ndaj deputetit Haliti.
“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjetë rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështja që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, ka thënë Abazi.
Kohëve të fundit është përfolur për një ftohje të raporteve të deputetit Abazi me qendrën e VV-së. Javën e kaluar Abazi ka munguar në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës.
Abazi përmes një postimi në Facebook, pati shkruar se “është hera e parë që sot nuk kam marrë pjesë në seancën e Kuvendit që nga zgjedhja ime deputet në këtë përbërje. Ka një sërë faktorë që më ka shtyrë të bëjë këtë veprim dhe në këtë kohë. Të gjitha i kam transmetuar tek lidershipi dhe pres që të adresohen me kujdes dhe në kohë”, ka shkruar ai.