Fjalë Kyçe

Haliti e konsideron të padrejtë buxhetin e ndarë për Vitinë

Haliti e konsideron të padrejtë buxhetin e ndarë për Vitinë

Me ndarjen e buxhetit për komunat e Kosovës ka pasur pakënaqësi tek disa krerë komunal.

Pjesë e këtyre pakënaqësive është edhe komuna e Vitisë, e cila udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, tha për Ekonomia Online se kësaj komune po i bëhet një e padrejtë në këtë aspekt dhe siç tha ai ndarja e buxhetit nuk ka qenë në përputhshmëri me numrin real të banorëve të kësaj komune.

“Ne buxhetin e marrim për 47 mijë banor, a i kemi 47600 votues që vërtetë tregon për ne që ky vendim qëndron padrejtë niveli qendror karshi ndarjes së buxhetit për komunën e Vitisë, ju e dini se gjysma e popullatës së Vitisë është jashtë, 16 mijë i kemi vetëm në Gjenevë, prandaj ne për vite jemi dëmtues për buxhet, pres me arrit nëpërmjet organizatave qeveritare dhe joqeveritare dhe shumë mekanizmave të tjerë ndërkombëtar me plotësu nevojat që me u përmbushë projektet infrastrukturore ambientale, ndriçuese, trotuare, fusha sportive etj”, tha Haliti.

Haliti tha se kjo është një vazhdë e padrejtësisë karshi komunës së Vitisë e cila tash e 10 vjet po ballafaqohet me të njëjtin problem.

“Vitia është privuar nga e drejta me realizu buxhetin e vet të investimeve kapitale sa i ka taku në përputhshmëri me numrin e banorëve, numrin real dhe jo atë si është paraqitur i regjistruar në vitin 2010-11, nuk është e drejtë që numri i votuesve me qenë më shumë se numri i banorëve, ndërsa buxheti ndahet në përputhshmëri me numrin e banorëve ne jemi dëmtuar tash e 10 vjet sa i përket ndarjes së buxhetit nga granti qeveritar, ne kemi pas të ardhura tjera me i realizu projektet”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Haliti tha se disa nga komunat tjera kanë përfituar më shumë duke mos e merituar aspak dhe për këtë në Viti ka pas edhe ngecje të disa prej projekteve të cilat nuk kanë pasur financim.

Ai shprehet optimist se me ndihmën e organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare do të arrij që t’i realizoj këto projekte.

“Me të vërtetë është një ndarje buxhetore jo reale nga ana e qeverisë aktuale sepse disa rajoneve i janë dhënë përparësi shumë më shumë, Vitia është privu nga e drejta për të realizuar shumë projekte siç i janë realizuar komunave tjera dhe gjithë rajonit, Anamorava po mbetet anash dhe zorrë qorre sa i përket investimeve kapitale në përputhshmëri me investimet që po bëhen në rajon”, tha ai.

Haliti e çmoi lartë traditën dhe kulturën e komunës që ai e drejton prandaj dhe sipas tij kjo komunë meriton të trajtohet më dinjitetshëm.

Ai tha se qeveria aktuale ku nuk bënë pjesë LDK-ja e ka për obligim ndarjen buxhetore për komuna ta bëjë në mënyrë të drejtë dhe jo të dëmtohet njëra komunë.

“Qeveria qendrore duhet të krijoj barazi në investime kapitale në gjithë territorin e Kosovës e ka obligim institucional mendoj se në këtë kuptim edhe në këtë regjion sidomos Anamorava në veçanti Vitinë duhet ta ketë parasysh sepse kemi nevojë.

Vitia është komuna me traditë kulturore-historike, vendi i shkollave të para në Kosovë, vend ku ka filluar misionin Nëna Terezë dhe vend që ka traditë, ka popullatë punëtore dhe fisnike që meriton mu kyç në autostradë që meriton me pas magjistrale dinjitoze dhe infrastrukture çfarë po investohet në komuna tjera, ne kemi nevojë dhe kërkesat janë permanente te qeverisë që edheneve të na investojnë projekte makro siç po bëhet në disa projekte tjera që po ndahen mjetet buxhetore në mënyrë jo transparente”, shtoi Haliti.

Haliti u shpreh i kënaqur për Zonën Ekonomike që ka filluar në magjistralen Gjilan-Ferizaj në rajonin e Vitisë, ku kjo e fundit i ka plotësuar kriteret.

“Zona ekonomike mendoj se lokacioni ku është marrë vendimi nga ana e kuvendit komunal nuk i takon vetëm Vitisë, mund t’i shërbej gjithë regjionit është një vendim i drejtë që ka marr kuvendi komunal i Vitisë.

E di që zhvillimi ekonomik lokal i ndihmon po ashtu edhe regjionit, prandaj ka qenë permanente që kjo zonë me u ndërtu dhe mezi po pres që sivjet me fillu faza e dytë e ndërtimit të kësaj zone ekonomike ku bizneseve mund me iu kriju kushte e ambient favorizues”, tregoi Haliti.

I pari i kësaj komune tha se sfidat që kanë qenë në fshatrat e komunës kanë filluar që të zbehen. Ai tha se janë duke punuar në një infrastrukturë më të mirë në mënyrë që tu krijohet banorëve të kësaj zone kushte më të mira jetese.