Klubi i Ferizajt nuk po kalon aspak ditë të mira.
Skuadra që në këtë edicion u rikthye në elitën e futbollit kosovar po përballet me krizë financiare.
Futbollistët e Ferizajt dhe trajneri Afrim Tovërlani nuk e kanë idenë se kur do ta fillojnë fazën përgatitore për stinorin pranveror.
Kështu të paktën ka deklaruar në një prononcim për gazetën “Zëri” trajneri i mirënjohur nga Prishtina.
“Tani e kam kuptuar se pse Ferizaj nuk ka arritur që të bëhet një klub serioz me të gjithë potencialin që e ka. Kjo është një fatkeqësi për qytetarët e Ferizajt, por edhe për emrin e klubit që të përballet me situata të tilla”, ka thënë Afrim Tovërlani.
Ferizaj është përballur me mungesë të organizimit të mirëfilltë edhe para nisjes së edicionit.
Vetëm dy javë para nisjes së kampionatit klubi Kaltërebardhë u organizua.
“Përgjegjësit në klub, bordi-milionerët nuk janë të vetëdijshëm që tashmë jemi në UEFA dhe nuk janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që kanë marrë në fillim të kampionatit. Askush nuk i ka detyruar me dhunë që ta udhëheqin Ferizajn. Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre kjo gjendje”, potencoi Afrim Tovërlani.
Më tutje ish-trajneri i disa skuadrave kosovare zbuloi se në klub ka shkuar për “hatër” të dy personave.
“Kam shkuar në klub për shkak të Nadir Haxhimusës dhe Fatmir Reshanit, por edhe ata u tradhtuan nga shokët e tyre në bord”, vlerësoi Afrim Tovërlani, i cili është trajneri më me shumë trofe në futbollin e Kosovës.
“Toki” e mori drejtimin e ekipit pak javë para nisjes së edicionit të ri në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Ai e zëvendësoi në këtë pozitë trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili i riktheu ferizajasit në elitë pas ndeshjes së barazhit me Vëllaznimin.
Ferizaj ka arritur që të kualifikohet edhe për në çerekfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës.
Kundërshtari i tyre në këtë fazë të garave do të jetë Feronikeli. Ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen më 9 shkurt.
Klubi nuk ka koment
Gazeta e ka kontaktuar edhe drejtorin e klubit Nadir Haxhimusën, i cili e ka komentuar situatën me të cilën po përballet klubi.
“Aktualisht nuk ka diçka konkrete. Po presim që të shlyhen pagat këto ditë në mënyrë që më pas të mendojmë për përgatitje”, ka thënë Nadir Haxhimusa të mërkurën.
Ndryshe, “Zëri” mëson se klubi u ka mbetur futbollistëve dhe stafit dy paga borxh.
Ferizaj ndodhet në “ujëra të ftohta” në tabelë, me 15 pikë të mbledhura dhe ndodhet i parafundit në renditje.