Fjalë Kyçe

Hamiti-Buleshkajt: Çka ka ndikuar që keni ndryshuar vendimin për certifikim

Hamiti-Buleshkajt: Çka ka ndikuar që keni ndryshuar vendimin për certifikim

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka kërkuar nga Yll Buleshkaj, drejtor i Zyrës për Certifikim të Partive Politike që të marrë parasysh vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për zëvendësimin e kandidatëve që kanë problem me ligjin.

“Ty të ka ardhur vendimi, ti e zbaton pikën q, ti atë vendim ia ke dërguar subjekteve politike për zëvendësim. Ata zëvendësohen, kush nuk donë mbeten vendet vakante deri sa të merret një vendim në Gjykatë. Ti duhesh me tregu çka ka ndiku me ndyshu vendimin sepse ti e dinë shumë saktë dhe mirë që kjo çështje u banalizu me tepër, sesa një interpretim që vjen dhe duhesh saktë me interpretu”, tha Hamiti.

Në mbledhjen e KQZ-së, Yll Buleshkaj ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët për shkak të paqartësive me shkronjën q të nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje.

Ditë më parë KGjK i ka kthyer përgjigje KQZ-së në kërkesën për konfirmim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se janë 47 kandidatë që kanë problem me ligjin.“Në përgjigjen që e kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, tha Elezi.

Sipas kësaj përgjigje, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kandidatja për deputetit Albulena Haxhiu si dhe disa kandidatë të tjerë të partive rrezikonin që të mbeten jashtë listave zgjedhore.