Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, ka thënë se librat të cilët janë në gjuhë të huaja duhet të përkthehen për ata të cilët nuk i njohin ato gjuhë.
“Edhe Kur’ani është i tillë. Ekzistojnë shumë të dhëna në Kur’an se ekziston diversiteti i gjuhëve. Gjuha e shpallur e Kuranit është gjuha arabe dhe këtë nuk mund ta vë askush në dyshim”, ka thënë Hamiti, njofton Klan Kosova.
Sa i përket debatit të hapur së fundmi në vend se a lejohet leximi i librit të shenjtë Islam në gjuhën shqipe, Hamiti ka deklaruar: “Leximi i lirë në gjuhën shqipe është i lejueshëm dhe i preferueshëm për atë që s’e di gjuhën arabe”.
Sipas Hamitit leximi në gjuhën arabe është i preferueshëm për shkak të kuptimit literal, sepse përkthimi i tij në raste edhe mund ta zbehë kuptimin e ndonjë shprehjeje.
“Duhet të lexohet në gjuhën e shpallur për shkak të kuptimit. Përndryshe leximi i lirë i Kur’anit mund të bëhet në gjuhën shqipe. Tek ne është përkthyer shumë vonë dhe ka qenë mendim se nëse përkthehet – për shkak të frikës për devijime – bota islame ka pasë frikë se nëse përkthehet Kur’ani e humb kuptimin”.
“Përkthime në gjuhën shqipe janë disa – shtatë…normalisht se ato nuk janë të njëjta varësisht nga përkthyesi. Një prej kushteve kryesore për ta përkthyer Kur’anin është se duhet të jesh njohës i mirë i Kur’anit, gjuhës arabe dhe gjuhës në të cilën e përkthen. Ka literaturë dhe kopje të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe nuk ka arsye të thuhet se nuk mund ta lexojmë në gjuhën shqipe.