Teologu Xhabir Hamiti, ka thënë se burka, apo mbulimi i plotë i fytyrës së grave nuk mund të përligjet me norma fetare, derisa e ka cilësuar një gjë të tillë si “prodhim i injorancës e fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”.
“Njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërsishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”, ka thënë Hamiti, njëherësh profesor në Fakultetin e Studimeve Islame.
Ai ka thënë se sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, burka, pa ferexhe, pa nikabe.
“Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme ‘komunikuese’ të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja etj. Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqet fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia”, ka thënë ai.
Hamiti ka shtuar tutje se religjionet semite, as cilatdo fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut.
“Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është ‘lakuriq’ ose ‘cullak’”, ka thënë ai.