Fjalë Kyçe

Haradinaj: Do t’i lë në lloç edhe me frymën e fundit Thaçin e Veselin nëse duan ta ndajnë Kosovën

Haradinaj: Do t’i lë në lloç edhe me frymën e fundit Thaçin e Veselin nëse duan ta ndajnë Kosovën

Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se atje e ka bërë të qartë qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe kundër krijimit të asaj që ai e quajti “Dodik Republikë”.

Këto pozicione, deklaroi se ua ka përcjellë në takime të ndara zëvendësndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, dhe përfaqësuesit të përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen.

Pasi theksoi se “rreziku për ndarjen e Kosovës ka kaluar”, Haradinaj foli për “rrezikun e krijimit të një Dodik Republike, që do ta paralizonte funksionimin e shtetit”, raporton KTV.

I dorëhequri nga posti i kryeministrit tha se në SHBA nuk është takuar me presidentin Hashim Thaçi, e as me atë serb Aleksandar Vuçiq, por tha se ky i fundit ende “po vajton pasi nuk mundi ta ndajë Kosovën”.

Duke folur për përfaqësimin e Kosovës në takime të jashtme me qëndrime të ndryshme, si rasti i tij dhe presidentit Thaçi, Haradinaj theksoi se liderët institucionalë “duhet të mbushen mend e të mos vazhdojnë të japin sa herë që u kërkohet”.

Ndërsa shtoi se i ka lënë në lloç ata që deshën ta ndajnë Kosovën.

Ai shtoi se Kosova duhet të tregojë qëndrueshmëri dhe, përveç tregut, të mos ofrojë asgjë në këmbim të njohjes.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha se nuk është mirë që ai dhe presidenti nuk kanë qëndrime të njëjta në takimet ndërkombëtare, por shtoi se nuk mund t’i mbështesë idetë që e dëmtojnë Kosovën.