Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, qeverisjen dyvjeçare të tij po e quan sfiduese dhe me shumë vështirësi e pengesa. Por edhe me shumë të arritura.
Haradinaj në një intervistë dhënë për eo thotë se për dy vjet në krye të qeverisë arriti të kthej dialogun nga dora e Mogherinit në atë të kancelares Merkel e presidentit Trump.
Po ashtu ai thotë se arriti të ndalë edhe ndarjen e Kosovës dhe fuqizimin e saj përbrenda, duke miratuar pako ligjore që ndihmuan zbatimin e ligjit në tërë vendin.
“Është një qeverisje e sfiduar sepse ne po ashtu arritëm me e heq dialogun nga tavolina e Mogherinit ku ishte një dialog i ndarjes me kalua te tavolina e kancelares Merkel dhe te Presidenti Trump e Macron. Pra e bëmë një ndryshim të madh përmbajtjesor e kundërshtuam dhe e penguam ndarjen dhe këto janë disa momente kyçe të qeverisë sonë e cila qeverisje vërtet kur i shtojmë edhe krejt pakon ligjore prej kodit penal dhe gjitha ligjet tjera për konfiskim të pasurisë dhe konflikt interesi dhe plot ligje që janë me të vërtetë me rëndësi për vetë zbatimin e ligjit në Kosovës dhe ka qenë një periudhë dinamike”, thotë ai.
Pavarësimin energjetik dhe kthimin e prodhimit të energjisë po i vlerëson si dy të arritura të tjera të qeverisë së tij.
Ai përmendi edhe Ligjin e ri për Paga për të cilin thotë se duhet të implementohet dhe më pas të shihem mundësitë për përmirësimin e tij.
Por e pranon se liberalizimi i vizave u vonua, por që beson në një vendim për këtë çështjeje.