Fjalë Kyçe

Haradinaj godet ashpër ata që flasin për çështjen e kufijve të Kosovës

Kosova është e pacenueshme në territor dhe jo vetëm unë por secili që jeton në këtë vend e ka për obligim me mbrojt Kosovën e 17 shkurtit.

Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një takim që pati me familjet e dëshmorëve të komunës së Deçanit, shkruan Gazeta Alo.

Ai ka thënë se kushtetuta e obligon ta mbrojë Kosovën kështu siç është, e pandarë dhe e pacenuar.

“Kushdo që jeton në këtë vend e ka obligim me e mbrojt këtë Kosovë të 17 të shkurtit. Kushtetuta më obligon me e mbrojt kështu si është e që thotë se është një e pandame dhe e pacenueshme në territor. Cilido qytetarë me kushtetutë është i obliguar me  mbrojt Kosovën e 17 shkurtit”, është shprehur Haradinaj.

Sipas tij,  kushdo tjetër që e cenon territorin e Kosovës, qoftë luftëtarë, ushtarë i dalluar apo udhëheqës, është armik i Kosovës.

“Nëse e hapim çështjen e kufijve i hapim varret e atyre që e kanë dhënë jetën, askush se ka këtë të drejtë nëse dikush e hap çështjen e territorit është armik i Kosovës. Kush është ai mik që ka të drejtë me fol për tokën e vendit tim, ai që ta hap kufirin nuk është më mik, çështja e hapjes së kufirit të Kosovës i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit”, ka thënë Haradinaj./Gazeta Alo/