Fjalë Kyçe

Haradinaj i drejtohet Kushtetueses – kërkon edhe shpalljen e zgjedhjeve parlamentare

Haradinaj i drejtohet Kushtetueses – kërkon edhe shpalljen e zgjedhjeve parlamentare

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Haradinaj kërkon që për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt.

Në të njëjtën kohë ish kryeministri  i bënë thirrje Presidentit, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt në Bacebook:

Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj.

Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.