Fjalë Kyçe

Haradinaj i kërkon Kurtit prezencë të Amerikës në dialog

Haradinaj i kërkon Kurtit prezencë të Amerikës në dialog

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se tema ishte dialogu me Serbinë.

Ai ka thënë se më 6 maj përmes një letre i ka kërkuar takim Kurtit për çështjen e dialogut.

Haradianaj ka thënë se në takim kanë dëgjuar disa qëndrime të Kurtit për dialogun, duke shtuar se kanë shprehur edhe ata si parti qëndrimet e tyre.

“Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës së SHBA-së në dialog. Kjo e prish balancën e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari nga SHBA-ja për dialogun. Ka konfuzion në agjenda, disa zhvillime prezantohen si agjendë e procesit të Berlinit, çështja e lëvizjes së qytetarëve me Bosnjën. Në rastet tjera si proces teknik shohim se peshën kryesorë e ka Lajçak por që është nivel i ulët i përfaqësimit në agjendë. Duhet të mos kemi befasi dhe të mbesim në ato që na obligon Kushtetuta e vendit. Ne hetojmë në vazhdimësi një lloj ikje prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare dhe UÇK-ja ka sjellë lirinë dhe se Kosova nuk duhet të barazohet me kriminelët e luftës”, ka thënë ai.

Kërkesën e Haradinajt që të ketë përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialog krahas Bashkimit Evropian, e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.

Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Haradinaj ka “theksuar gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional”.

“Takimit të sotëm me z. Hardinaj i ka paraprirë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë”, thuhet në komunikatë.