Fjalë Kyçe

Haradinaj ka një kërkesë për minatorët e Trepçës

Edhe pse ligji për Trepçën është miratuar tash e gati tri vjet dhe statuti i miratuar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, Beogradi zyrtar po bëhet pengesë për regjistrimin e aseteve të Trepçës si ndërmarrje publike.

Kryeministri Ramush Haradinaj i bënë thirrje minatorëve të Trepçës nga komuniteti serb që mos të bien pre e Beogradit zyrtar.

Haradinaj thotë se regjistrimi i ndërmarrjes Trepça është çështje ditësh.

Ndonëse, autoritet e Kosovës kanë rezervuar tri vende në bordin e Trepçës për komunitetin serb, udhëheqësit e këtij gjigandi në veri të Mitrovicës refuzojnë t’i japin përgjegjësi bordit të Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se inkuadrimi i minoritetit serb në bordin e Trepçës, është paraparë për shkak të rëndësisë së Trepçës në veri të Mitrovicës.

Mos regjistrimi i ndërmarrjes Trepça, për ministrin e MZHE, Valdrin Lluka nuk e ka dëmtuar imazhin e ndërmarrjes, ndërkaq thotë se ka interesim prej investitorëve të huaj.

Ndërsa, profesori universitar Muhamet Sadiku thotë se resurset e Trepçës janë pjesë përbërëse e resurseve të Kosovës, andaj, nëse cenohen resurset në pjesën veriore kjo do të tregon se mund të cenohet edhe integriteti territorial.

Profesori Sadiku thotë se nuk ka vend për të lëshuar pe në këtë drejtim, sepse Trepça duhet të jetë brenda tërësisë ekonomike të Kosovës.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të Trepçës, Ardian Syla nuk është përgjigjur për problemet e regjistrimit të ndërmarrjes Trepça.