Fjalë Kyçe

Haradinaj ndëshkohet nga amerikanët për taksën, nuk ftohet në Lutjet e Mëngjesit

Haradinaj ndëshkohet nga amerikanët për taksën, nuk ftohet në Lutjet e Mëngjesit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk do të shkel as këtë vit në SHBA me rastin e ceremonisë së Lutjeve të Mëngjesit. Ambasada e SHBA’së i ka refuzuar vizën të parit të ekzekutivit për shkak të vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Probleme me vizë Haradinaj kishte pasur edhe vitin e kaluar për shkak të qëndrimeve për demarkacionin me Malin e Zi.

Askush nga AAK-ja nuk do të marrë pjesë në organizimin e parvjetshëm “Lutjet e Mëngjesit” që mbahet çdo vit në Amerikë.

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të jetë pjesëmarrës as këtë vit për shkak të telasheve me vizë.

Pavarësisht se kishte pasur ftesë për Amerikë, Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj s’kishte aplikuar fare për vizë.

Nitaj ka thënë se për shkak që është vonuar me procedurat e aplikimit për vizë nuk do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Ndërsa, nuk e komentoi pse kryeministri Haradinaj nuk ka arritur ta marrë dritën e gjelbër për të shkelur në Amerikë.

“Fatkeqësisht jam vonuar ne procedurat e aplikimit për vizë dhe këtë herë e humba rastin për të qenë pjesëmarrës i një ngjarje të rëndësishme, siç janë Lutjet e Mëngjesit. Shpresoj ta realizoj vitin e ardhshem! Nuk e di për kryeministrin nuk muj me folë për të”, tha Nitaj të  dielën për Gazetën Express.

Ceremonia e Lutjeve të Mëngjesit  drejtohet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump që shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës. Ftesë për këtë ceremoni kanë marrë edhe zyrtarë nga Kosova, por i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj për shkak që nuk i është lëshuar viza amerikaë nuk do të jetë pjesëmarrës.

Ndërsa, ditë më parë Al Jazeera e Ballkanit kishte raportuar se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Për këtë nuk ka komentuar askush nga kabineti i kryeministrit.

Edhe Memli Kransiqi ka konfirmuar shkuarjen në Amerikë.

“Jam i ftuar në Lutjet e Mëngjesit dhe planifikoj që të marrë pjesë në këtë eveniment gjatë javës së ardhshme”, ka thënë Krasniqi, për Express.

Shkuarjen në SHBA e ka konfirmuar edhe Arben Gashi i LDK’së.

Sidoqoftë, në Lutjet e Mëngjesit nga Kosova do të shkojë, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, Deputeti i LDK-së Arben Gashi, deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, deputetja e VV-së Saranda Bogujevci. Ndërsa, Isa Mustafa, nuk do të shkojë për shkak të problemeve shëndetësore.

Vetë Haradinaj, në konferencën për media një javë më parë, e pranoi se me gjasë nuk do të mund të udhëtojë për në Uashington, për shkak të situatës së krijuar pas vendosjes së taksës.

“Qejf kam pasur, edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, është shprehur Haradinaj gjatë konferencës për media.

Kryeministri Haradinaj është përballë edhe një vit më parë me probleme e vonesa të vizës amerikane.

Edhe atëherë raportohej se kryeministrit po i bëheshin vonesat e vizës për shkak se nuk po e përkrahte marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.