Fjalë Kyçe

Haradinaj nga Tirana: Bashkë jemi më të fortë

Haradinaj nga Tirana: Bashkë jemi më të fortë

Pas takimit me kryeministrin Rama, kryetari i AAK-së i shoqëruar nga deputetë e kryetarë komunash, takoi ndaras grupet kryesore parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Haradinaj ka takuar grupin e Partisë Demokratike kryesuar nga Enkelejd Alibeaj, Partisë Socialiste kryesuar nga Taulant Balla, si dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se ka shprehur “vullnetin dhe gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit mes partive tona, për të shtyer përpara agjendat kombëtare në funksion të zhvillimit ekonomik dhe faktorizimit të shqiptarëve në rajon e Evropë”, pasi që vazhdon Haradinaj: “Bashkë jemi më të fortë”.

Haradinaj ka takuar edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për të cilin ka thënë se është model për kryetarët e komunave, qyteteve e bashkive shqiptare për siç tha Haradinaj “përkushtimin dhe zgjidhjet efektive për komunitetin”.

Në fund të vizitës së tij në Tiranë, Haradinaj ka takuar Naltësinë e Tij Mbretërore Leka II, në prag të 61-vjetorit të vdekjes së gjyshit të tij, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve.

“Familja Mbretërore mbetet burim frymëzimi e atdhedashurie, adresë e rëndësishme e vlerave dhe trashëgimisë sonë historike” – ka shkruar Haradinaj në Facebook, duke thënë se është gjithmonë kënaqësi kur takohet me Princin.

“Shqiptarët, të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën demokratike, fuqishëm po trasojnë udhën e integrimit të plotë në familjen euro-atlantike. Ky orientim garanton ndërtimin e së ardhmes së sigurt për shqiptarët, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimin dhe paqen afatgjate në Ballkan.”, ka shkruar Haradinaj.