Fjalë Kyçe

Haradinaj: Njohja nga Serbia është pika fillestare për progres, nuk është pika përfundimtare

Haradinaj: Njohja nga Serbia është pika fillestare për progres, nuk është pika përfundimtare

Pas takimit të Nivelit të Lartë të Ballkanit Perëndimor i thirrur nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili u mbajt mbrëmë në Berlin, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë në Facebook fjalimin e tij të mbajtur në këtë takim.

Haradinaj ka shkruar se ka kërkuar nga Gjermania dhe Franca të vazhdojnë ta mbrojnë të drejtën e Kosovës në shtetësinë dhe integritetin e saj territorial në BE, pasi si shtet i vogël, Kosova nuk ka kapacitete për t’i arritur të gjithë.

“Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një valë të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj.

“Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare. Pa njohje reciproke dhe respekt të ndërsjellë nuk mund të ketë progres. Njohja do të nënkuptojë tejkalimin e të gjitha pengesave tjera të progresit. Për shembull, nuk do të ketë nevojë për barriera tregtare, nga asnjëra palë. Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një valë të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës”, ka thënë Haradinaj në fjalimin e tij në Berlin.